Lajme

Opozita kritikon qeverinë, Kurti nuk përballet me deputetët për pandeminë e vaksinat


Derisa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është përballur me depuetët për gjendjen me pandeminë në Kosovë, vartësi i tij, Abren Vitia, ministër i shëndetësisë ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse vërtetohet se ai ka refuzuar të nënshkruaj ndonjë dokument që rrezikon marrjen e vaksinave anti-covid.

Deputetët e Kuvendi i Kosovës kanë debatuar të hënën për menaxhimin me pandeminë COVID-19 dhe vonesat në sigurimin e vaksinave anti-covid. Ky debat është thirrur nga grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare, PDK.

Ky subjekt politik kishte kritikuar Qeverinë për keq-menaxhim me pandeminë përfshi edhe vonesat për sigurimin e vaksinave, duke e akuzuar edhe për refuzim të vaksinave kineze të ofruara si donacion nga shteti shqiptar.

Kërkesë e PDK-së ishte që në këtë seancë të jenë të pranishëm kryeministri Kurti dhe ministri i shëndetësisë, Arben Vitia pasi që pandemia është prioritet i prioriteteve.

Mirëpo, kryeministri Kurti ka qëndruar në seancë vetëm kur po diskutoheshin pikat e tjera të rendit të ditës, por jo edhe për çështjen e pandemisë për çka ishte thirrur edhe seanca.

Debati i nxeht për gjendjen me Covid-19 dhe vaksinat anti-Covid mes opozitës dhe ministrit të shëndetësisë

Pas raportimeve se ai ka refuzuar të nënshkruante marrëveshjen me Pfizer për blerjen e vaksinave, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se nuk ka nënshkuar asnjë dokument që do të rrezikonte procesin e vaksinimit kundër pandemisë COVID-19.

Duke replikuar dhe kundër-replikuar me deputetët, ai ka thënë se është i gatshëm të jap dorëheqje kur kritikohej se ka refuzuar nënshkrimin për vaksinat.

“S’kam refuzuar asnjë nënshkrim që do të dëmtonte procesin e vaksinave. Jam i gatshëm, që nëse ka ndodh diçka e tillë që rrezikon një proces të tillë, jap dorëheqje”, ka deklaruar ai pra deputetëve.

Edhe ish ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj, tani deputet, ka kritikuar pasardhësin e tij.

“Jam i dëshpëruar me situatën e krijuar. Duket që e degradoj gjatë këtyre ditëve. Mos vijimi i kontratave menjëherë, është dëshpëruese. Askush nuk duhet të sulmohet për shkak të kërkesës për transparencë…Pandemia duhet të jetë prioritet”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu i cili edhe i ka siguruar disa kontakte Qeverisë për sigurimin e vaksinave anti-Covid, ka kërkuar që Shqipëria të hap një qendër vaksinimi për kosovarët në pikën kufitare në mënyrë që kush dëshiron të ketë mundësi vaksinimi. Krejt këtë ai e ka thënë duke kritikuar Qeverinë për refuzim të vaksinave.

“Qeveria Kurti një morri një mijë vaksina nga Serbia të prodhuara në Rusi. Qeveria Kurti dy nuk morri vaksinat nga kineze në Shqipëri. Unë kërkoj nga Shqipëria që të hap një pikë vaksinimi në pikën kufitare dhe të hapet aplikimin online që kush dëshiron të ju mundësohet vaksinimi, sepse qeveria jonë ka dështuar. Derisa qytetarët tanë po vdesin nga COVID-19, qeveria ynë është marrë me zgjedhjet në Shqipëri”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se me këtë ritëm të procesit të vaksinimit, “Kosovës i duhen mbi 10 vjet për të vaksinuar të gjithë popullin”.

Ministri i Shëndetësisë ka arsyetuar para deputetëve mbylljen 12 ditore dhe masat e marra nga Qeveria Kurti 2.

“Masat kufizuese janë në funksion me lehtësira të caktuara, do të jenë të tilla derisa të kemi lajme më të mira…Do të përditësohen çdo dy javë varësisht nga situata epidemiologjike në terren…Kemi ulje të rasteve të reja, të hospitalizimeve dhe vdekjeve…Krahas rënies së numrit dhe përqindjes së të infektuarve ngrihet edhe përqindja e të shëruarve”, është shprehur ndër të tjera ministri Vitia.

Përgjysmimi i shtesave për mantel bardhët mungesë e buxhetit

Vitia u kritikua për  përgjysmim të shtesave ndaj mantel bardhëve. Ai duke u përgjigjur ndaj kritikave ka deklaruar se ka kërkuar nga ministri i Financave që të vazhdohen shtesat, pro Ministria e Financave ka thënë se janë të limituar.

“Ne kemi menduar t’i ndihmojmë me të gjitha kapacitetet këto kategori. Më 23 mars të këtij viti, unë kam marrë njoftimin se shtesat për profesionistët shëndetësorë përfundojnë në muajin mars. Menjëherë kam kërkuar takim me ministrin e Financave që të vazhdojnë këto shtresa, që të mos ndalen në asnjë mënyrë. Ministria e Financave në bazë të kapaciteteve buxhetore ka ardhur me propozim dhe aj propozim është miratuar”, është përgjigjur ministri.

Gjatë ditës, kryetarët e partive politike opozitare kanë kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në fushatën zgjedhore në Shqipëri, duke anashkaluar tërësisht qytetarët e Kosovës të cilët po përballen me pandeminë dhe mungesën totale të vaksinave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore