Lajme

Omicron: Biden mohon dështimin në testimin e pandemisë


Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka mohuar që administrata e tij ka dhënë një përgjigje të keqe ndaj shfaqjes së variantit Omicron.

Ai i tha një rrjeti televiziv se “askush” nuk mund ta kishte parashikuar atë. Këshilltari i tij kryesor Dr. Anthony Fauci ka thënë se ekspertët parashikuan variante.

Ky reagim vjen një ditë pasi Shtëpia e Bardhë zbuloi planet për të blerë 500 milionë teste të coronavirus-it.

Ka pasur pritje të gjata për teste teksa afrohen Krishtlindjet.

“Unë nuk mendoj se është një dështim”, tha Biden në një intervistë me “ABC News” të mërkurën. “Unë mendoj se është – ju mund të argumentoni se ne duhet ta kishim ditur një vit më parë, gjashtë muaj më parë, dy muaj më parë, një muaj më parë”.

Presidenti demokrat tha se do të donte të “kishte menduar” për porositjen e 500 milionë kompleteve të testimit “dy muaj më parë”.

Një vit më parë, Biden e quajti një mungesë në testimin e COVID-19 nën administratën e ish-presidentit republikan Donald Trump si “një mashtrim”.

Të mërkurën, New York City regjistroi gati 29 mijë raste të reja – një rekord i ri njëditor gjatë pandemisë dhe një kërcim 30% nga rekordi i vendosur në fillim të kësaj jave.

Të martën, Shtëpia e Bardhë gjithashtu u zotua të hapë më shumë vende testimi në të gjithë vendin.

Në një konferencë të mërkurën, zëdhënësja e Biden, Jen Psaki nuk ishte në gjendje të jepte specifika se si dhe kur do të shpërndaheshin kompletet e testimit falas.

Të dielën, këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë për coronavirusin, Dr. Fauci hodhi poshtë çdo sugjerim se shfaqja e varianteve të reja COVID nuk mund të ishte parashikuar.

“Ne sigurisht që prisnim që do të kishte variante”, i tha ai CNN. “Sepse kur keni kaq shumë replikë në komunitet, nëse i jepni një virusi mundësi të mjaftueshme për t’u riprodhuar, e dini se përfundimisht do të ndryshojë”.

Presidenti Biden tha gjithashtu për “ABC News” se ai planifikon të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2024.

“Por shikoni, unë jam një respektues i madh i fatit. Fati ka ndërhyrë në jetën time shumë e shumë herë. Nëse jam në shëndetin që jam tani, nëse jam mirë, atëherë në fakt, unë do të kandidoj sërish”, tha ai.

Biden shtoi se shansi për t’u përballur me paraardhësin e tij, Donald Trump, “do të rriste perspektivën për të kandiduar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore