Lajme

Varianti i ri COVID me numër të lartë mutacionesh


Një variant i ri COVID që mbart një “numër jashtëzakonisht të lartë” mutacionesh mund të nxisë valë të mëtejshme sëmundjesh, kanë dalluar së fundmi shkencëtarët.

Ky variant ka ngjallur shqetësim serioz mes studiuesve sepse një numër i mutacioneve mund të ndihmojnë virusin të shmangë imunitetin paçka se janë konfirmuar vetëm 10 raste në tre vende.

I quajtur B.1.1.529, tregon e përditshmja “The Guardian”, varianti i ri numëron 32 mutacione në proteinën spike, pjesa e virusit që përdorin shumica e vaksinave për të nxitur sistemin imunitar kundër COVID-it.

Mutacionet në proteinën spike, mund të ndikojnë në aftësinë e virusit për të infektuar qelizat dhe përhapjen, por gjithashtu e bëjnë më të vështirë për qelizat imune të sulmojnë patogjenin.

Për herë të parë, varianti u zbulua në Botsvana, ku janë renditur tre raste. Gjashtë të tjerë janë konfirmuar në Afrikën e Jugut dhe një në Hong Kong, te një udhëtar që kthehej nga Afrika e Jugut.

Për virologun Tom Peacock, “sasia tepër e lartë e mutacioneve sugjeron se kjo mund të jetë vërtetë shqetësuese”.

Rastet e para të variantit u mblodhën në Botsvana më 11 nëntor, dhe më i hershmi në Afrikën e Jugut u regjistrua tre ditë më vonë.

Rasti i gjetur në Hong Kong ishte një burrë 36-vjeçar, i cili kishte një test negativ PCR përpara se të fluturonte nga Hong Kong-u për në Afrikën e Jugut, ku qëndroi nga 22 tetori deri më 11 nëntor.

Burri rezultoi negativ në kthimin e tij në Hong Kong, por doli pozitiv në 13 nëntor teksa ishte në karantinë, shkruan “The Guardian”.

Disa virologë në Afrikën e Jugut janë tashmë të shqetësuar, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e fundit të rasteve në Gauteng, një zonë urbane ku janë zbuluar raste të B.1.1.529.

Ravi Gupta, profesor i mikrobiologjisë klinike në Universitetin e Cambridge, ka thënë se në laboratorin e tij ka zbuluar se dy nga mutacionet e B.1.1.529 rritën infeksionet dhe reduktuan njohjen e antitrupave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore