Lajme

OBSH: Duhet përgjigje e ekuilibruar ndaj variantit të ri të virusit


Organizata Botërore e Shëndetësisë ka drejtuar thirrje për një përgjigje globale të ekuilibruar ndaj variantit të ri të coronavirus-it.

Sipas OBSH-së, vendet që raportojnë raste të llojit të ri nuk duhet të penalizohen, pasi shkencëtarët afrikano-jugor që qëndrojnë pas zbulimit të tij po përgatiten të dërgojnë mostra në laboratorë në mbarë botën.

Kjo vjen pas alarmit ndër zyrtarë globalë të shëndetësisë lidhur me zbulimin e një varianti të ri të coronavirus-it me shumë mutacione në Botsvana të Afrikës së Jugut, tregon e përditshmja “Financial Times”.

Ai shfaq karakteristika paraprake që sugjerojnë se është në gjendje të ri-infektojë pacientët dhe të shmangë vaksinat. Dhe nuk dihet ende nëse përkeqëson simptomat.

Kështu, një sërë vendesh kanë vendosur kufizime të rënda të udhëtimit në rajonin e Afrikës Jugore. Zvicra ka kufizuar gjithashtu udhëtimin nga Izraeli, Hong Kong-u dhe Belgjika, ku janë konfirmuar dy raste të variantit.

Madje, të premten e 26 nëntorit, tregjet e aksioneve pësuan rënie pasi investitorët u përballën me mundësinë që pjesa më e madhe e përparimit të bërë në rikuperimin nga pandemia mund të zhbëhej.

Në të njëjtën ditë, OBSH-ja ndërmori hapin e pazakontë duke thënë se varianti i ri ishte “shqetësues”.  Një lëvizje kjo që ka implikime të kufizuara praktike, por që shërben si një sinjal për botën se çështja është serioze.

Tulio de Oliveira, një nga shkencëtarët pas zbulimit të variantit, ka thënë se vendi ishte “penalizuar me grumbullimin e vaksinave, ndalimet e udhëtimit dhe diskriminuar që nga zbulimi i variantit Beta dhe sërish tani me variantin e ri”.

Ai ka shtuar për “Financial Times” se “nëse kjo vazhdon, rrezikojmë që shumë vende të ndalojnë raportimin e varianteve të reja dhe bota rrezikon të kthehet në fazën fillestare të pandemisë”.

Sipas tij, ka pasur kërkesa nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar dhe laboratorët.

“Do të bëjmë të njëjtën gjë siç bëmë me Beta-n, çka do të thotë të dërgojmë stokun e virusit në të gjitha agjencitë kryesore të biosigurisë në botë…në mënyrë që pyetjeve kryesore të mund t’u përgjigjen sa më shpejt të jetë e mundur”, ka ravijëzuar shkencëtari.

Gjithashtu ka treguar se, ngjashëm me rastet e mëparshme, nuk do të dërgohen mostra te kompanitë private, por do të bashkëpunohet përmes qeverisë me organizata të tjera qeveritare të biosigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore