Tregjet

Ndikimi i variantit të ri COVID në tregje, rënie e aksioneve dhe çmimeve të naftës


Të premten e 26 nëntorit janë shënuar rënie të aksioneve globale dhe çmimeve të naftës pas tronditjes që i ka dhënë tregut varianti i ri i coronavirus-it.

Agjencia e lajmeve, “Financial Times”, tregon se një shitje e gjerë e aksioneve evropiane pasoi lëvizje të ngjashme edhe në tregjet aziatike.

Stoxx 600 i Evropës ra 3.1 për qind, me indeksin CAC 40 të Francës dhe Dax 30 të Gjermanisë në rënie me marzhe të ngjashme.

Indeksi FTSE 100 i Londrës ra me 3.2 për qind. Në shenjë të shqetësimeve të tregut, aksionet e British Airways, IAG, ranë rreth 16 për qind në Londër, me prodhuesin e motorëve të avionëve Rolls-Royce me 12 për qind dhe BP me 6 për qind.

“Gjërat janë përshkallëzuar në frontin e COVID-it mjaft shpejt gjatë 12 orëve të fundit”, ka ravijëzuar Jim Reid, një strateg në Deutsche Bank.

Jo më larg se ditën e djeshme, varianti i ri “po fillonte të merrte ngadalë vëmendje në rritje, por brenda natës ai ka filluar të dominojë tregjet”, ka shtuar ai.

I identifikuar për herë të parë në Botsvanë, varianti B.1.1.529 Sars-Cov-2, besohet se qëndron pas një rritjeje të rasteve në Afrikën Jugore gjatë javës së kaluar.

Ai ka alarmuar zyrtarët globalë të shëndetësisë për shkak të aftësisë së tij të dukshme për mungesën e ndikimit nga vaksinat dhe përhapjen më të shpejtë se varianti Delta.

Referuar “Financial Times”, mes shqetësimeve të përhapjes së variantit të ri, Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndaluar udhëtarët nga Afrika e Jugut.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbajë një takim urgjent për të diskutuar variantin e ri, i cili është përshkruar si lloji më shqetësues i hasur deri më tani nga studiuesit.

Indeksi i Hang Seng të Hong Kong-ut ra më shumë se 2.5 për qind mes shqetësimeve se lloji i ri i coronavirus-it mund të ngadalësojë rimëkëmbjen ekonomike globale dhe të izolojë më tej qendrën financiare aziatike.

Kjo e fundit posedon një nga sistemet më të rrepta të karantinës në botë.

Diku tjetër në Azi, indeksi Topix i Tokios ra 2 për qind pasi Mbretëria e Bashkuar ndaloi fluturimet direkte nga gjashtë vendet, përfshirë Afrikën e Jugut, derisa hotelet e karantinës të funksiononin.

Sërish aksionet e udhëtimeve ishin ndër më të goditurat, me ato të Japan Airlines që ranë më shumë se 6 për qind dhe kompaninë Cathay Pacific të Hong Kong-ut që humbi 4 për qind për shkak të shqetësimeve për rritjen e kufizimeve të udhëtimit ndërkombëtar.

“Financial Times” dallon gjithashtu se borxhi i qeverisë u rrit teksa investitorët u kthyen në asete që tradicionalisht shihen si bartës të rrezikut më të ulët.

Yield-i i kartëmonedhës 10-vjeçare të thesarit të SHBA-së ra me 0.12 pikë përqindjeje në 1.53 për qind. Rendimenti i ekuivalentit të tij gjerman ra me 0,07 pikë përqindje në minus 0,32 për qind.

Në monedha, kufizimet e reja të udhëtimit e zbritën randin e Afrikës së Jugut deri në 1.7 për qind kundrejt dollarit, duke shënuar nivelin më të dobët të monedhës në më shumë se një vit.

Monedhat e tjera të tregjeve në zhvillim, përfshirë peson meksikane dhe lirën turke, ranë me rreth 1.4 për qind.

Në tregjet e mallrave, shqetësimet për ndërprerjen e tregtisë globale goditën çmimet e naftës, me Brent që ra me 4.7 për qind në 78.34 dollarë për fuçi. Kurse amerikani West Texas Intermediate ra me 4.6 për qind në 74.72 dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore