Shqipëria

Do të luftojmë me nepotizmin brenda dhe jashtë partisë, thotë Ilir Meta


Do të luftojmë me nepotizmin brenda partisë dhe jo vetëm.

Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili pak çaste më vonë pritet të shpallet president i partisë.

Meta nga ambientet e Pallatit të Kongreseve hodhi poshtë se do të ketë përjashtime dhe pse një gjë e tillë tashmë është fakt nga lista e prezantuar e Kryesisë.

Ai theksoi se Monika Kryemadhi është deputete dhe anëtare e Komitetit drejtues të partisë së tij.

Kjo referuar deklaratës së saj se ndihej e keqardhur për përjashtimin.

“Kush e gënjeu Monikën? Monika Kryemadhi është deputete, dhe mund të zgjidhet deputete sa herë që të dojë. Ajo ka dyfishin e votave, dyfishin e Luçiano Boçit. Ajo është anëtare. Do të luftojmë nepotizmin. Kjo nuk është një konventë kundër Monikës”.

Më tej ai dhe dhe një shembull.

“Nuk dinte Stalini t’i shpëtonte jetën djalit të tij që e morën peng gjermanët. I vajtën atij kur i zunë peng gjermanët djalin dhe i thanë ta shpëtojmë, a e dini çfarë ju tha, ju dhimbset juve më shumë djali im se mua, po çfarë tu them popullit dhe nënave pastaj unë”.

Çfarë pritet të ndodhë

Forumi është i dyti në një hark kohor dy-vjeçar. Kjo pasi me 25 korrik 2022, pas përmbushjes së mandatit kushtetues si president, Ilir Meta u rikthye në Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku pasi u votua si drejtues ia ndërroi emrin në Partia e Lirisë.

“Pensionistët janë kryefjala e Programit tonë, ndaj do të kemi mbi 300 pensionistë të nderuar nga të gjitha trevat e vendit, veteranë të Luftës Antifashiste, pasardhës të tyre dhe familjarë të Heronjve e Dëshmorëve të rënë për lirinë e Shqipërisë”, u tha nga PL-ja.

Por përpos agjendës së mirëpërcaktuar vëmendjen do ta marrë “lufta e brendshme” në seli.

“Do të godasim nepotizmin në parti sepse ka qenë një shqetësim dhe problem i madh. Do t’i japim goditje krahinalizmit dhe do jemi partia më demokratike në Shqipëri, më e organizuara dhe më e fuqishme sa i takon ekzekutimit”, paralajmëroi Meta ditë më parë.

Ai e cilësoi udhëheqjen e bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si një lidership kakofonik.

Në përballjen e tyre të parë në publik në Komitetin Drejtues Kombëtar Kryemadhi i është përgjigjur në lidhje me nepotizimin në parti.

“Të vendoset pikë staturore që buxheti i fushatave elektorale të jetë i qartësuar qartë në statut në përdorim për të gjitha gratë dhe vajzat kandidate që do të jenë kandidate në këshillin kombëtar. Po dëgjojmë vetëm nepotizëm prej 2 javësh. Do tu isha mirënjohëse të më përcaktonin se çdo të thotë fjala nepotizmi në partinë politike. Parti politike do të thotë bashkim kombëtar dhe nuk ka asnjë fjalë në ligjin për partitë politike për nepotizëm. Personat që e kanë hartuar të më argumentojnë fjalën nepotizëm. Në një parti politike rëndësia më e madhe është meritokracia”.

Por kjo nuk e ka ndalur Metën që të mos e përfshijë ish-nënkryetarin e Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, – i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryemadhit – në listën e Kryesisë së re.

Pasi të votohet si president i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, së bashku me Kryesinë e tij do të rreshtohen në mitingun demokrat.

E gjitha do të përfundojë me marrjen e “bekimit” poshtë dritares së Sali Berishës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore