Lajme

Një tjetër e mitur dyshohet se u dhunua në Viti


Ilustrim.

Sërish një e mitur ka raportuar në Policinë e Kosovës se në muajin tetor është dhunuar seksualisht nga një person.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të policisë.

“Viktima femër kosovare (e mitur) me 23.11.2022 ka raportuar se gjersa ishte në vizitë te motra e saj, është dhunuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

Lidhur me rastet e dhunimit kishte reaguar edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut.

Përmes një komunikate për media ky Komision ka kërkuar që të shqiptohet dënim i miratuar për rastet e tilla.

Protesta në Prishtinë kundër rasteve të dhunës.

“Rastet e fundit të dhunës seksuale në Kosovë, por edhe ky i fundmi i raportuar, i ndodhur në komunën e Ferizajit, është tronditës dhe si raste të tilla duhet të marrin dënimin e merituar ligjor dhe të pashtyeshëm”, është thënë nga ky Komision.

Sipas këtij komisioni, “është koha e fundit që luftimit të rasteve të tilla t’u jepet përgjigje dhe dënime të merituara e të bazuara në sistemin juridik të shtetit të Kosovës”.

Kohët e fundit në Kosovë janë rritur rastet e dhunës.

Më 29 gusht, një e mitur 11-vjeçare u raportua se u dhuna nga pesë persona, çka nxiti reagime të mëdha në Kosovë.

11-vjeçarja u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë.

Më 31 gusht, mijëra persona protestuan në kryeqytet kërkuan drejtësi pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Më 30 shtator, alpinistja nga Peja, Mirka Nikqi, ka publikuar një video se si është sulmuar seksualisht nga një person, në qendër të qytetit, në orën 20:50.

Në video shihet ajo duke ecur dhe pas i afrohet një person, e kap nga mbrapa dhe nuk e lëshon. Ajo provon t’i shmanget dhe arrijnë t’i ikën vetëm pasi aty pranë kalojnë disa qytetarë.

Edhe më 5 tetor në Gjakovë, janë raportuar dy raste të dhunimit.

Rasti i fundit ishte raportuar më 23 nëntor i cili kishte ndodhur një rast i dhunimit në komunën e Istogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore