Kosova

Pejë: Sulmohet seksualisht në qendër të qytetit – “jam ende në gjendje të rëndë”


Pamje nga videoja

Alpinistja nga Peja, Mirka Nikqi, ka publikuar një video se si është sulmuar seksualisht nga një person, të martën e kësaj jave, në qendër të qytetit, në orën 20:50.

Në video shihet ajo duke ecur dhe pas i afrohet një person, e kap nga mbrapa dhe nuk e lëshon. Ajo provon t’i shmanget dhe arrijnë t’i ikën vetëm pasi aty pranë kalojnë disa qytetarë.

Nikqi ka treguar në një status në Instagram se si ndodhi rasti.

“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B.”.

Ajo thotë se personi që e sulmoi është “anëtar i një familje të njohur në qytetin e Pejës”.

“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”.

Rastin për Albanian Post e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“E kemi hulumtuar rastin, e kemi arrestuar te dyshuarin dhe aktualisht është në burg. Ai po mbahet në burg me masë ndalimi prej 48 orësh”, ka thënë ai për AP.

Edhe Nikqi ka falënderuar organet e rendit dhe qytetarët “të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejt, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time”.

Ky rast vjen në një kohë kur janë shtuar rastet e dhunës seksuale ndaj grave. I fundit, ishte ai i dhunimit të 11 vjeçares nga disa persona.

Gjithashtu, aktualisht në Pejë prej ditësh janë zhdukur dy vajza dhe akoma nuk dihet për fatin e tyre.

Policia për zhdukjen e dy vajzave nga Peja: Janë duke u hetuar të gjitha pistat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore