Shqipëria

Një paketë e dytë e Rezistencës Sociale në proces…?!


Rritja e çmimeve të produkteve të shportës, karburantit dhe energjisë elektrike po prek çdo ditë e më shumë familjet shqiptare.

Qeveria shqiptare që prej prillit prezantoi dhe në fuqi hyri “Paketa e Rezistencës Sociale”, si mënyrë për t’i ndihmuar qytetarët për të përballuar rritjen e menjëhershme të çmimeve, të cilat u ndikuan nga lufta në Ukrainë.

Por kjo paketë ishte për tre muaj dhe më 1 korrik mbyllet, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar në mars.

Në media ka qarkulluar lajmi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për një paketë të dytë.

Të kontaktuar nga Albanian Post, nga MFE-ja u deklarua se ende nuk ka një paketë të dytë. Mbi të gjitha as një vendim.

Çfarë ka qarkulluar në media?

Prej një jave mediat publikuan lajmin, sipas të cilit qeveria po planifikon që “Paketa e Rezistencës Sociale” të zgjatet deri në fund të këtij viti.

Fokusi do të mbeten sërish shtresa në nevojë dhe pensionistët. Por, nga ana tjetër, mendohet se mund të ketë dhe grupe të tjera të përfshira, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, më 17 mars ka deklaruar se qeveria mund të bëjë gati një paketë të dytë dhe të tretë të Rezistencës Sociale nëse situata përkeqësohet.

Çfarë përfshinte Paketa e Rezistencës Sociale?

Paketa e Rezistencës Sociale përfshin 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, kompensim 3 mijë lekë për tre muaj.

1.45 miliardë lekë do të jepen nga buxheti i shtetit për naftën në bujqësi dhe 500 milionë lekë për urbanët.

Gjithashtu do të ketë ulje të tatimit mbi ardhurat, ku pagës deri në 40 mijë lekë do t’i hiqen taksat, ndërsa do të ketë përgjysmim të kësaj të fundit për pagat deri në 50 mijë lekë. Kujtojmë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit më 16 qershor ka njoftuar se Qeveria do të propozojë së shpejti që ata persona, që marrin deri në 50 mijë lekë pagë, taksimi të jetë zero.

Ndërsa paga minimale u rrit në 32 mijë lekë nga 30 mijë që ishte.

Stagflacion - çfarë është ajo? Tiparet dhe karakteristikat e stagflacion

Sakaq, vendi po kalon krizë energjetike dhe nga buxheti i shtetit u dhanë 28 miliardë për mburojën e energjisë, ku çmimi i saj nuk është rritur për familjet dhe bizneset e vogla.

Kreu i qeverisë, që në krye të herës në daljet e tij publike, ka theksuar se mbështetja për familjet shqiptare nuk do të mungojë.

Pavarësisht krizave – duke përmendur tërmetin e 26 nëntorit, pandeminë globale dhe së fundmi luftën në Ukrainë – që është përballur qeverisja e kabinetit të tij, ai është shprehur se “së bashku do t’ia dalim”.

Sipas Ahmetajt, nga “Paketa e Rezistencës Sociale” janë ndihmuar mbi 500 mijë qytetarë.

Çfarë thanë ekspertët për paketën?

Eksperti i Ekonomisë, Eduart Gjokutaj, për Albanian Post tha se kjo paketë ngjason me masat që u ndërmorën një vit më parë, kur Shqipëria u përball me pandeminë COVID-19.

Eksperti i Ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Sipas tij, qeveria u tregua e kujdesshme “për të mbështetur shtresat më në nevojë, duke marrë masat e duhura në kohën e duhur, në mënyrë që kjo krizë të përballohet me sukses dhe efektet e saj në ekonomi të jenë minimale”.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë Zef Preçi dhe Romina Radonshiqi, e kanë cilësuar paketën përkatësisht si “masë të sforcuar” dhe si “të pamjaftueshme për të përballuar krizën që po prek ekonominë e vendit në tërësi dhe familjet shqiptare në veçanti”.

Ndërsa eksperti i Ekonomisë, Elton Harxhi, tha se masat e ndërhyrjes, “nuk ishin të mjaftueshme në terma afatmesëm apo afatgjatë”, porse është “e mjaftueshme”, nëse gjykojmë natyrën e ndërhyrjes.

Eksperte e Ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Kjo e fundit, sipas tij, fokusohet kryesisht në tri pika: kontrolli mbi çmimet e një pakete produktesh, subvencionimi i çmimit të energjisë për familjarët e biznesin e vogël dhe ndihma sociale për shtresat në nevojë.

Sipas Preçit, indeksimin e pensioneve qeveria duhet ta kishte bërë që prej fillimit të vitit.

Duke theksuar edhe njëherë se masa e mbështetjes përmes paketës është e pamjaftueshme, ai sjell në vëmendje “ngërçin ekonomik”, që pasqyrohet te rezultati i analizave, sipas të cilave tregohet te rritja e inflacionit dhe pamundësia e krijimit të vendeve të punës, “ngadalësimi i rritjes ekonomike, që sjell stagflacion”.

Si Radonshiqi, edhe Gjokutaj ishin të mendimit se “ndihma prej 3 mijë lekësh për 3 muaj për të varfrit dhe shtresat në nevojë dhe ata që janë të paaftë për punë llogaritet se nuk mjafton për të paguar më shumë sesa 1/3-at e rritjes së çmimeve që në muajin e parë të zbatimit të saj”.

Ekspert i Ekonomisë, Elton Harxhi
Zero taksa për personat që marrin deri në 50 mijë lekë pagë

Nga heqja e kësaj takse preken drejtpërdrejt 55 mijë të punësuar, të cilët sot e kanë pagën mes nivelit 40 dhe 50 mijë lekë.

Gjokutaj për Albanian Post ka shpjeguar se ky vendim është i beftë, i padiskutuar apo dialoguar mes ekspertëve të sektorit të financave, ndaj sjell efekte.

Ai rendit dy prej tyre, “efekti i humbjes së besimit te politika dhe veçanërisht politika tatimore” dhe “ndikimi në buxhetin e shtetit”.

Eksperti sjell në vëmendje vendimin e qeverisë, të dy muajve më parë për përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 50 mijë lekë.

Ekspert i Ekonomisë, Zef Preçi

“Ndërkohë, ndryshimi në kohë kaq të shpejtë, kur nuk kanë kaluar vetëm dy muaj nga ndryshimi i këtij ligji, konfirmon shqetësimet e ekspertëve të ndryshëm për miratimet e pastudiuara dhe të padialoguara me palët, e cila shkakton efekte negative në qasjen e bizneseve në ekonomi dhe jetën sociale”.

Sakaq, siç thotë eksperti, negativiteti i shprehur në dëm të ekonomisë është se luhatshmëria e shpeshtë e normës tatimore, i orienton bizneset për të marrë masa që t’i paraprijnë një veprimi të ardhshëm të nxituar për të mos reaguar në formalizimin e pagave.

“Stabiliteti i buxhetit vjen në radhë të dytë edhe nga efektivizimi i administrimit tatimor dhe goditja e evazionit aty ku ai ndodhet nëpërmjet menaxhimit të riskut, por edhe duke miratuar politika fiskale të mirëpranuara, por më së pari të diskutuara me ata që i zbatojnë dhe bëjnë ekonominë e vendit”, e përmbyll arsyetimin e tij Gjokutaj.

Në këto kushte kur rritja e çmimeve vijon, taksat zerohen për pagat deri në 50 mijë lekë, dukshëm lind pyetja se cili është plani i qeverisë shqiptare?

Grupet në nevojë dhe pensionistët me çfarë të ardhurash nga buxheti i shtetit do të ndihmohen me rritjen e çmimeve që ka “mbërthyer” vendin muajt e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore