Shqipëria

Çfarë duhej të ishte bërë ndryshe te Paketa e Rezistencës Sociale?


Lufta që ka kapluar Ukrainën prej disa javësh tashmë dhe sanksionet perëndimore të vendosura Rusisë kanë krijuar problematika në zinxhirin ndër-tregtar, çka u reflektua edhe në Shqipëri, me rritjen e menjëhershme të çmimeve.

Si një mënyrë për të përballuar situatën e krijuar me çmimet, që prek kryesisht familjen shqiptare, por edhe një kundërpërgjigje e protestave të qytetarëve – “mbërthyen” rrugët e Tiranës dhe u shtrinë edhe në disa qytete të tjera – qeveria prezantoi “Paketën e Rezistencës Sociale”, e cila ka hyrë në fuqi në muajin prill dhe do të jetë e vlefshme për tre muajt e ardhshëm.

Stagflacion - çfarë është ajo? Tiparet dhe karakteristikat e stagflacion

Çfarë thonë ekspertët?

Eksperti i Ekonomisë, Eduart Gjokutaj, për Albanian Post thotë se kjo paketë ngjason me masat që u ndërmorën një vit më parë, kur Shqipëria u përball me pandeminë COVID-19.

Sipas tij, qeveria po tregohet e kujdesshme “për të mbështetur shtresat më në nevojë, duke marrë masat e duhura në kohën e duhur, në mënyrë që kjo krizë të përballohet me sukses dhe efektet e saj në ekonomi të jenë minimale”.

Megjithatë, këto masa, pohon ai, “nuk mund të shtrihen më shumë sesa mundëson ‘jorgani’ fiskal”.

“Qeveria ndodhet në kushtet e konsumimit të hapësirave buxhetore. Ka shpenzime të shumta për projektet e infrastrukturës urbane, si dhe pagesa të shumta buxhetore për shumë projekte në të njëjtën kohë – konsumueset e hapësirave për të zbatuar politika të mbrojtjes së ekonomisë dhe biznesit”.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë Zef Preçi dhe Romina Radonshiqi, e cilësojnë paketën përkatësisht si “masë të sforcuar” dhe si “të pamjaftueshme për të përballuar krizën që po prek ekonominë e vendit në tërësi dhe familjet shqiptare në veçanti”.

“Nuk është e qartë sa i përket përfitueshmërisë”, shpjegon Preçi për Albanian Post, “dhe pa preferencat e nevojshme që vërtet mund të kontribuonin në zbutjen e efekteve të krizës mbi kategoritë sociale që preken”.

Ndërsa eksperti i Ekonomisë, Elton Harxhi, thotë se masat e ndërhyrjes, “nuk janë të mjaftueshme në terma afatmesëm apo afatgjatë”, porse është “e mjaftueshme”, nëse gjykojmë natyrën e ndërhyrjes.

Kjo e fundit, sipas tij, fokusohet kryesisht në tri pika: kontrolli mbi çmimet e një pakete produktesh, subvencionimi i çmimit të energjisë për familjarët e biznesin e vogël dhe ndihma sociale për shtresat në nevojë.

Politikat e mbrojtjes sociale
Eksperti i Ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Në diskursin e tij, Gjokutaj sjell në vëmendje faktin që qeveria “u kap” në befasinë e goditjes aktuale të tregjeve të huaja.

“Duket se politikat e mbrojtjes sociale nuk do të jenë të mjaftueshme edhe për periudhat e ardhshme, përballë mungesës së llogaridhënies për detyrat e pabëra nga të gjitha nivelet e qeverisjes për publikun dhe në kushtet e përdorimit të kronizimit në administrimin e besimit të votuesve”.

Eksperti është i mendimit se shumat që janë miratuar për indeksim të pensioneve me një nivel plus prej 0.9% më shumë se formula e indeksimit “janë të pamjaftueshme”.

Kurse Preçi mendon se qeveria duhet ta kishte bërë indeksimin prej fillimit të vitit.

Në njëjtën kohë, thotë ai, të përdorej si referencë, sa i takon masës së mbështetjes, përllogaritja e minimumit jetik për personat me aftësi të kufizuar, personat përfitues të ndihmës ekonomike, në nevojë, ata me pension minimal duhet të mbështeteshin në mënyrë të njëkohshme, transparente nga shteti.

Duke theksuar edhe njëherë se masa e mbështetjes përmes paketës është e pamjaftueshme, ai sjell në vëmendje “ngërçin ekonomik”, që pasqyrohet te rezultati i analizave, sipas të cilave tregohet te rritja e inflacionit dhe pamundësia e krijimit të vendeve të punës, “ngadalësimi i rritjes ekonomike, që sjell stagflacion”.

Sakaq, ai ravijëzoi se do të ishte mirë që qeveria të ecte në dy pista njëkohësisht: rritja e masës të mbështetjes financiare të grupeve në nevojë, duke pasur referencë minimumin e llogaritur jetik – referenca e fundit e vet minimumit është në vitin 2021 nga Avokat i Popullit – dhe rishikimin e mbështetjes për sektorët prodhues, kryesisht bujqësinë.

Kjo, sipas tij, duke bërë shkurtime në shpenzimet buxhetore për partneritetet publike private që s’kanë filluar apo janë në fillimet e tyre dhe investime apo shpenzimet publike të panevojshme.

Si Radonshiqi, edhe Gjokutaj janë të mendimit se “ndihma prej 3 mijë lekësh për 3 muaj për të varfrit dhe shtresat në nevojë dhe ata që janë të paaftë për punë llogaritet se nuk mjafton për të paguar më shumë sesa 1/3-at e rritjes së çmimeve që në muajin e parë të zbatimit të saj”.

Çfarë duhej të ishte bërë ndryshe?

Gjokutaj arsyeton se qeveria duhet të kërkojë zgjidhje në vënien në funksion të plotë të institucioneve monitoruese dhe ligjzbatuese.

Këto të fundit, thekson ai, “kanë ndikimin e tyre të madh në një situatë si kjo që po kalojnë shqiptarët”.

Harxhi, nga ana tjetër, shpreh mendimin se në këtë paketë mungon një ulje e përkohshme e nivelit të TVSH-së dhe Taksës së qarkullimit për karburantet.

Ekspert i Ekonomisë, Elton Harxhi

Ndonëse është kundër uljes së nivelit të TVSH-së, pasi në shumicën e rasteve, thotë ai studimet kanë treguar që nuk reflektohet në ulje çmimi për konsumatorët, mund të ishte rishikuar në ulje taksa e qarkullimit (masa e uljes duhet gjykuar) për një periudhë të përkohshme.

“Kjo ulje e taksës së qarkullimit është lehtësisht e kontrolluar që do reflektohet në uljen e çmimit për konsumatorin”, thotë ai, duke përmendur bordin e transparencës të ngritur për këtë qëllim.

Harxhi, në përmbyllje të fjalës së tij, thotë se “mund të ishte bërë më shumë bazuar në analiza buxhetore”.

Radonshiqi, nga ana tjetër, shprehet se kjo paketë nuk do të ketë ndikim në zbutjen e situatës dhe se qeveria duhej t’i rishikonte politikat fiskale për një periudhë afatshkurtër.

Eksperte e Ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Sipas saj, kjo e fundit jo vetëm që do të kishte efekt të menjëhershëm në uljen e çmimeve në treg, por do të krijonte dhe kushte pozitive për sektorin privat.

Ndër të tjera, sipas saj, paketa sociale duhet të rishikohet në kohë për të rritur jo vetëm mbështetjen financiare, por dhe të jetë gjithëpërfshirëse.

“Kjo pasi një paketë e dytë apo e tretë në një moment tjetër nuk do të ishte efektive, duke marrë në konsideratë që kriza në familjet shqiptare dhe në sektorin privat do të thellohej më tepër”.

Në përmbyllje, ajo gjykon se “situata do të zgjasë” dhe se “efektet do të jenë më tepër se tre muaj, për çka qeveria duhet të hartojë politika mbështetëse për të ardhmen”.

Edhe Harxhi në të njëjtën linjë si ekspertja, shpjegon se “shuma e ndihmës sociale është e pamjaftueshme dhe gjithashtu mënyra e funksionimit të bordeve të kontrollit të çmimeve ka vend për t’u përmirësuar në aspektin e metodës dhe transparencës”.

Informaliteti

Në tjetër pikë ku ndalet eksperti Preçi, është informaliteti, që e ka shoqëruar vendin tonë, duke kompromentuar të ardhmen.

Ekspert i Ekonomisë, Zef Preçi

“Për shkak të nivelit të lartë të informalitetit ka pasur një lloj mbijetese të të gjitha kategorive dhe shtresave shoqërore, pavarësisht polarizimit relativisht të lartë që ka vendi”, theksoi ai.

Përpos kësaj, sipas tij, në kushtet kur qeveria po aplikon fiskalizimin që prek bizneset e vogla, “shtresat në nevojë kanë përherë e më pak mundësi që, në mënyrë informale të plotësojë nevojat e veta bazike dhe, për rrjedhojë, masa e mbështetjes financiare të përkohshme për tre muaj duhej të ishte më e madhe se për tre muaj e mbështetur në minimumin jetik”.

“Paketa duhej të synonte që këto kategori shoqërore që preken më shumë nga kriza t’u garantohet plotësimi i nevojave bazike për ushqim, por dhe nevojat minimale për transport – këto janë të sintetizuar në atë minimum jetik prej 16 mijë apo 18 mijë lekë të reja për frymë”, ravijëzoi Preçi.

Sipas këtij të fundit, minimumi jetik llogaritet për frymë.

“Kjo do të thotë që paga minimale reale duhet të jetë minimalisht dyfishi i saj, sepse secili person i punësuar apo në pension ka në ngarkim një person tjetër që nuk punon apo që është i paaftë për punë”.

Për rrjedhojë, masa duhej të ishte më e madhe dhe duhet të respektohet në vazhdimësi dhe jo thjesht për një, dy apo tre muaj.

Gjokutaj, njëjtë si Preçi, thotë se “në kushtet e një tregu i ndikuar seriozisht nga informaliteti dhe evazioni, me ekonomi ende në strukturim dhe me pamundësi të politikave subvencionuese më shumë sesa 7 masat buxhetore, duhet të kërkojë zgjidhje në vënien në funksion të plotë të institucioneve monitoruese dhe ligjzbatuese, të cilat kanë ndikimin e tyre të madh në një situatë si kjo që po kalojmë.

Një pikë tjetër “plotësuese e zgjidhjes”, ravijëzon Gjokutaj, “mund të jetë edhe një politikë tatimore nxitëse dhe lehtësuese, por që duhet të konsiderojë riskun që vjen nga prania e madhe e informalitetit”.

Në përmbyllje, ai beson se “reflektimi me përgjegjshmëri dhe me gjithëpërfshirje, ku qeveria të koordinojë të gjithë faktorët e identifikuar se ndikojnë në ndihmë të ekonomisë dhe politikave fiskale e monetare, bashkë me analizën nga ekspertët do të kontribuojnë me të paktën mosmarrjen e vendimeve të mëtejshme në kushtet e presionit të rritur publik”.

Çfarë përfshin Paketa e Rezistencës Sociale?

Paketa e Rezistencës Sociale përfshin 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, kompensim 3 mijë lekë për tre muaj.

1.45 miliardë lekë do të jepen nga buxheti i shtetit për naftën në bujqësi dhe 500 milionë lekë për urbanët.

Gjithashtu do të ketë ulje të tatimit mbi ardhurat, ku pagës deri në 40 mijë lekë do t’i hiqen taksat, ndërsa do të ketë përgjysmim të kësaj të fundit për pagat deri në 50 mijë lekë.

Ndërsa paga minimale do të rritet në 32 mijë lekë nga 30 mijë që ishte.

Sakaq, vendi po kalon krizë energjetike dhe nga buxheti i shtetit do të jepen 28 miliardë për mburojën e energjisë, ku çmimi i saj nuk është rritur për familjet dhe bizneset e vogla.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, që në krye të herës në daljet e tij publike ka theksuar se mbështetja për familjet shqiptare nuk do të mungojë.

Pavarësisht krizave – duke përmendur tërmetin e 26 nëntorit, pandeminë globale dhe së fundmi luftën në Ukrainë – që është përballur qeverisja e kabinetit të tij, ai është shprehur se “së bashku do ia dalim”.

Por, nga ana tjetër, populli shqiptar kërkon nga qeveria heqjen e taksës së TVSH-së për karburantet dhe ushqimet e shportës.

Prandaj dhe revoltimi i tyre nuk është ndalur deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ekspertët, po ashtu, mendojnë se kjo paketë nuk i përmbush nevojat e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore