Shqipëria

Rama: Paketa e Rezistencës Sociale mbështet drejtpërdrejt fermerin


“Mbështetjen për fermerët, prodhimin dhe transportin e kemi bërë drejtpërdrejtë përmes Paketës së Rezistencës Sociale”.

Do të ishte kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pasi dëgjoi një interpelancë mes deputetit të Partisë Demokratike, Zef Hila, dhe ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Rama theksoi se, “nafta për fermerët, e cila qysh prej vitit të shkuar, është një produkt i subvencionuar nga qeveria në funksion të mbështetjes së fermerëve përmes një skeme që e bën të pamundur devijimin që, për fat të keq, ka ndodhur në të shkuarën ku janë provuar skema të subvencionimit të naftës për fermerët”.

Sipas tij, paketa shton mbështetjen për fermerët me naftë falas, duke kompensuar kështu të gjithë pjesën e taksës që ata paguajnë për atë sasi nafte që përdorin – konkretisht janë financuar 14 milionë dollarë nga buxheti i shtetit.

“Është një shumë domethënëse, e cila adreson nevojat e parashtruara përmes aplikimeve të fermerëve. Skema ka dhe një tjetër efekt pozitiv: po rrit në mënyrë të ndjeshme formalizimin dhe po ndihmon që të zgjerohet i gjithë kapaciteti i inventarit të shtetit për tokat, fermerët dhe fermat”, vijoi Rama.

Deputeti i PD-së, Zef Hila.

Sakaq, ai vijoi duke sqaruar se qeveria synon që bujqësia të funksionojë përmes bashkimit – duke filluar nga fermerët që prodhojnë, pikat e grumbullimit, deri te shitja dhe eksportimi i mallrave.

“Ne po i largohemi në mënyrë graduale financimit të vetmisë, të qëndruarit veç, të mbeturit brenda një ngastre të vogël. Po financojmë të gjitha ato pika zhvillimi të bujqësisë së re përmes bashkimit dhe krijimit të rrjeteve ku kontributorët në nivele të ndryshme janë të përfshirë për interesin e tyre vetjak. Ata që punojnë në tokën e tyre dhe ata që grumbullojnë prej tyre dhe ata që shesin, duhet të jenë të gjithë të bashkuar dhe kjo bën dallimin”.

Ndër të tjera, ai u ndal dhe te kriza energjetike, duke ritheksuar për të disatën herë se qeveria mbështet biznesin e vogël dhe familjet, duke mos jua ndryshuar çmimin.

“Nuk do ta rrisim çmimin e energjisë elektrike. Ndërkohë Ministria e Energjisë po bën një studim për familjet e pasura, për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë në energjinë elektrike. Po shikojmë një mundësi, për një periudhë të përkohshme, ku ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë për faturën e energjisë”, ravijëzoi ai.

Ndër të tjera, Rama e vuri theksin edhe te kriza globale që ka prekur shtetet për shkak të luftës në Ukrainë.

Duke qenë se edhe në Shqipëri do të ketë ndikimin e saj, ai bëri me dije se edhe në vendin tonë po përgatitet një plan për kufizimin e furnizimit me gaz.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.
Hila-Krifca

Në fjalën e tij, deputeti Hila tha se fermerët e Shkodrës janë lënë pa mbështetje nga shteti.

“Kriterin e sipërfaqes 1 hektar nuk e plotëson pothuajse asnjë fermer në Shkodër, duket sikur e keni bërë qëllimisht përjashtimin e tyre. Firmat e prodhimit të duhanit e kanë ndjerë shumë pak mbështetjen e shtetit dhe me ne ligjin tuaj synonit të nënshtronit prodhuesit e duhanit te grumbulluesit”, u shpreh ai nga foltorja.

Sipas Hilës, në Korçë, Fier dhe Elbasan duhani prodhohet me kontratë dhe shkon për eksport dhe një sasi mbetet për tregun vendas.

Sa i përket eksportit, Rama tha se në krahasim me janarin e vitit 2021 është rritur me 14%.

Nga ana tjetër, Krifca duke iu përgjigjur Hilës tha se Shkodra ka një rëndësi të madhe në bujqësi, por kultivimi i duhanit është informal dhe bëhet pa kontratë duke u shitur në treg të lirë.

“Kjo”, tha ajo, “shkakton probleme me evazionin”, si dhe me shëndetin e njerëzve.

Në lidhje me fermerët, Krifca tha se ato janë mbështetur me naftë falas.

“Janë mbështetur 4 mijë fermerë në total me 8 milionë euro pagesa të drejtpërdrejta. Skema  e mbështetjes me naftë është zbatuar për herë të parë në 2021-in, kur përfituan 19 mijë fermerë në rang vendi. Në Qarkun Shkodër kanë përfituar 887 fermerë, të cilët morën 270 mijë litra naftë falas. Më shumë se 4 mijë hektarë në Shkodër janë kultivuar nga kjo naftë pa taksa”, u shpreh Krifca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore