Lajme

“Një ‘endacak’ që do të kthehet në shtëpi”


Kryediplomati i qeverisë kineze, Wang Yi, e konsideroi Tajvanin gjatë një deklarate si një ‘endacak’ që do të kthehet në shtëpi.

“Tajvani do të kthehet përfundimisht në shtëpi dhe nuk është një figurë shahu me të cilin mund të luhet”, tha të hënën e 20 dhjetorit ministri i Jashtëm kinez.

Kina ka rritur në dy vitet e fundit presionin ushtarak dhe diplomatik për të pohuar pretendimet e saj për sovranitet.

Këto nisma kanë zemëruar Taipei-n zyrtar dhe kanë krijuar shqetësim të thellë në Washington.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi

Wang Yi u shpreh, ndër të tjera, se shkaku i tensioneve aktuale ishin përpjekjet e qeverisë tajvaneze për t’u “mbështetur te Shtetet e Bashkuara për pavarësi”.

“Janë këto veprime perverse që kanë ndryshuar status quo-n dhe kanë dëmtuar paqen në ngushticën e Tajvanit”, nënvizoi Wang.

Zyrtari kinez ravijëzoi se janë shkelur konsensusi i komunitetit ndërkombëtar dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas tij, si kundërpërgjigje Kina mori “kundërmasa të forta”.

Kjo, për të “tronditur arrogancën” e atyre që kërkojnë pavarësinë formale të Tajvanit.

Qeveria e Tajvanit ka denoncuar vazhdimisht presionin e Kinës.

Autoritetet vendase kanë konfirmuar se vetëm qytetarët e Tajvan-it kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore