Shqipëria

Nis shembja e banesave te 5 Maji, banorët përplasen me Policinë dhe IKMT-në


Mes përplasjesh së banorëve dhe Policisë së Shtetit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit mëngjesin e 22 shkurtit ka nisur punën për shembjen e ndërtesave të mbetura te lagjja 5 Maji në Tiranë.

Shembja e këtyre banesave u shoqërua me një rezistencë e lartë nga ana e banorëve duke u munduar të mos lejojnë fadromat e IKMT-së për të kryer punën e tyre.

Pavarësisht rezistencës së tyre IKMT-ja nisi punën, duke sjellë rritje të tensionit mes banorëve dhe Policisë. Ata gjuajtën me gur drejt forcave të shumta të policisë dhe aksioni është shoqëruar me britma dhe të qara.

Kundërshtitë e banorëve kanë nisur që prej javësh tashmë, duke kërkuar nga qeveria një dëmshpërblim në proporcion të drejtë me pronat që kanë.

Gjatë kësaj dite parashikohet të shemben 12 banesa, ndërsa më parë janë shembur dhjetëra të tjera.

Një ditë më parë ata kanë protestuar në zyrat e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ata kanë paralajmëruar se protesta e tyre do të përshkallëzohet deri në grevë urie përballë Kuvendit të Shqipërisë ose pranë banesave të tyre.

Nga ana tjetër Bashkia e Tiranës dhe Qeveria kanë bërë me dije se pavarësisht a janë të pajisura me leje apo jo asnjë nga banorët nuk do të mbesë pa shtëpi.

Shembja e këtyre banesave ka ardhur si proces i rindërtimit pas tërmetit te vitit 2019 më 26 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore