Shqipëria

Banorët e “5 Majit” protestojnë pranë Ambasadës së SHBA-ve


Banorët e “5 Majit” në Tiranë, të enjten e 3 shkurtit, kanë protestuar para Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe asaj të Bashkimit Evropian (BE).

Pjesë e protestës janë bërë dhe deputetët demokratë, të cilët prej muajsh po përkrahin nismën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për të përjashtuar kreun zyrtar të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Rreth kësaj çështje ka reaguar dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes replikave me komentuesit, në median sociale Facebook.

Ai shkruan se “të gjithëve u është dhënë haku që u takon, disave madje edhe më shumë”.

“Njësoj siç po ndodh me të tërë ata që po përfitojnë nga Rindërtimi, do ndodhe edhe me ju atje”, ka shkruar Rama.

Në fillim, banorët kanë protestuar pranë Kuvendit, e më pas janë nisur drejt Ambasadës së SHBA-ve e më tej akoma, drejt zyrave të përfaqësisë së BE-së në Tiranë.

Ndërtimi i ngjarjes

Të mërkurën e 19 janarit, banorët e “5 Majit” dolën në protestë për të kundërshtuar shembjen e banesave.

Kauzës së tyre iu bashkuan dhe deputetë të Partisë Demokratike.

Në mbështetje të banorëve, shkuan deputeti Klevis Balliu, i cili ka qenë edhe në protestat e banorëve të Astirit dhe Ervin Minarolli, të dy nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

Gjithashtu aty u gjend edhe deputetja Dhurata Çupi.

Banorët refuzuan për orë të tëra shembjen e banesave – që u krye nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Në disa momente u regjistruan dhe përplasje fizike mes qytetarëve dhe efektivëve të Policisë.

Bashkia e Tiranës kishte njoftuar se do të prisheshin tre banesa.

Banorët janë kundër prishjes së banesave të tyre, pasi shprehen se ende nuk janë dakordësuar me shtetin për këtë hap.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore