Shqipëria

Rama banorëve të “5 Majit”: Do të ndërtohet një lagje e re, që fëmijët mos rriten si në xhungël


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka postuar në median sociale Facebook, videon e takimit të tij me disa nga banorët, të cilëve do u shemben shtëpitë.

Gjatë bisedës, kryeministri u shpjegoi qytetarëve se në vendin ku shtëpitë e tyre po shemben, do të ndërtohet një lagje e re. Sipas Ramës, e gjithë kjo betejë po bëhet për fëmijet, që këta të fundit “të mos rriten si në xhungël”, por të kenë shkollën afër.

Gjithashtu, kryeministri shtoi se nga kjo hapësire do të përfitojnë edhe të moshuarit pasi do të kenë afër spitalin apo ambulancën.

Qytetarët e pyetën kryeministrin nesë do t’i përfitonin shtëpitë edhe pse nuk i kishin të legalizuara dhe Rama u përgjigj pozitivisht.

“Asnjë nuk do të mbesë në qiell të hapur”, tha Rama, “edhe ata që nuk kanë dokumentacionin e duhur, do u jepet shtëpia”.

Protesta para parlamentit

Banorët e “5 Majit”, Laprakës dhe Paskuqanit u mblodhën që në orët e para të mëngjesit në hyrje të Kuvendit, ku pritet të nisë edhe seanca plenare.

Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të lejonin hyrjen e deputetëve në Kuvend, por kjo ndryshoi kur kryeministri vendosi të dilte përballë tyre.

Rama u kërkoi banorëve që të zgjedhin një përfaqësi prej tre personash për të marrë pjesë në seancën e sotme.

Banorët po protestojnë kundër shembjes së banesave në kuadër të projektit “Unaza e Madhe”.

Rama, më herët ka deklaruar se banorëve te “5 Maji” u është dhënë haku që u takon dhe madje disave prej tyre edhe më shumë se kaq.

Ai ka theksuar se duhet durim dhe besim sepse ashtu si po ndodh me ata që po përfitojnë nga rindërtimi do të ndodhë edhe me pjesën tjetër.

Ndërtimi i ngjarjes

E gjitha do të niste të mërkurën e 19 janarit, kur banorët e “5 Majit” dolën në protestë për të kundërshtuar shembjen e banesave.

Kauzës së tyre iu bashkuan dhe deputetë të Partisë Demokratike.

Banorët refuzuan për orë të tëra shembjen e banesave – që u krye nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Në disa momente u regjistruan dhe përplasje fizike mes qytetarëve dhe efektivëve të Policisë.

Bashkia e Tiranës kishte njoftuar se do të prisheshin tri banesa.

Banorët janë kundër prishjes së banesave të tyre, pasi shprehen se ende nuk janë dakordësuar me shtetin për këtë hap.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore