Kosova

Pati ose jo zgjedhje, Kurti ia arriti ta përçajë opozitën


Foto nga Albanian Post

Opozita parlamentare nuk është e unifikuar për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, derisa moskoordinimi i tyre u krijua pasi që njëra nga partitë opozitare ka bashkërenduar qëndrimin me pushtetin për këtë temë, ndërsa dy të tjerat po kërkojnë mënyra të tjera, prandaj në vlerësimin e njohësve të çështjeve politike, në situatën aktuale, pra pati apo jo zgjedhje të parakohshme, më e rëndësishmja është fakti që kryeministri Albin Kurti, arriti që ta përçajë opozitën, dhe gjithë kjo i shkon në favor të tij.

Kryeministri Kurti është duke zhvilluar takime me akterët politikë në vend, si me partnerët e koalicionit, por edhe me opozitën – ndonëse një pjesë e saj nuk iu ka përgjigjur ftesës së tij – ku po diskuton për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës për të shkuar në zgjedhje ka propozuar opsionin e shpërndarjes së kuvendit – ngjashëm si pushteti, pra Lëvizja Vetëvendosje – ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkojnë që procesi i ri zgjedhor të bëhet përmes dorëheqjes së Kurtit, ose mocionit të mos besimit.

Moskoordinimi i opozitës në këtë temë, sipas profesorit të shkencave politike, Dritëro Arifi, është në favor të qeverisë.

“Qeveria Kurti për momentin po ndihet më e fuqishme, sepse opozita nuk është e bashkuar dhe në këto momente nuk besoj se do t’i konvenonte që të shkonte në zgjedhje duke se janë të përçarë dhe të pabalancuar – politikisht – për qëndrime të qarta, dhe kjo më shumë i ndihmon qeverisë sesa e dobëson”, thotë Arifi për Albanian Post.

Nga ana tjetër, për sociologun Shkodran Ramadani, të dy qëndrimet e opozitës për mënyrën se si duhet të shkohet në zgjedhje janë valide, dhe për këtë ai jep disa arsye.

“Për qëndrimin e PDK-së: në rast se pajtohemi se performanca e Qeverisë nuk ka qenë e mirë këto vite, atëherë shkuarja në zgjedhje është një mundësi e mirë për ta dërguar në shtëpi këtë qeveri”, thotë fillimisht Ramadani për AP.

“Po ashtu, e vetmja mundësi për ta dërgu në shtëpi këtë qeveri është që t’i bëjnë votat bashkë me partinë në pushtet, sepse pa votat e partisë në pushtet është e pamundur më dërgu vendin në zgjedhje, prandaj çdo shpërndarje e parlamentit nënkupton edhe koordinim me partinë në pushtet”, vlerëson ai.
Por, në të njëjtën kohë, analisti politik potencon se e mirëkupton edhe qëndrimin e partive të tjera opozitare.

“E mirëkuptoj edhe qëndrimin e LDK-së dhe AAK-së që thonë se do të ishte më e rrugës që qeveria të jepte dorëheqje, dhe ta pranonte që nuk ka arritur që të qeverisë me sukses, por e dimë që ky është një variant jorealist, për shkak se nuk ka parti në pushtet që do ta pranonte keqqeverisjen e saj”.

Kryeministri Kurti i ftoi në takim partitë opozitare në takim para dy jave, mirëpo përgjigje pozitive mori vetëm nga PDK-ja, ndërsa u refuzua nga LDK-ja dhe AAK-ja, teksa shumë kush vlerësoi se ky mund të jetë një hap drejt një koalicioni qeverisës në të ardhmen mes këtyre dy subjekteve politike.

“Ky përafrim nuk ka qenë më i natyrshmi. Për shumë kënd ka qenë befasues, por nuk besoj që është lëvizje drejt formimit të një koalicioni, është thjeshtë një koordinim për zgjedhjet, edhe kjo nuk dihet se a do të ketë sukses”, beson.

Por, ndryshe nga Ramadani mendon Arifi.

Sipas tij, opozita nuk i ka kalkuluar mirë opsionet se si të shkohet në zgjedhje.

“Sepse në një farë mënyrë qeveria po dëshiron që t’i sfidojë partitë opozitare me qëllim. Ajo e ka potencuar që dëshiron që vetëm përmes shpërndarjes së kuvendit që të shkohet në zgjedhje”, pohon ai, derisa përmend moskoordinimin e opozitës për ta rrëzuar Kurtin.

“Po të kishim pasur një aktivizimi serioz të opozitës për çështjet që vetë i kanë ngritur, por nuk i kanë besuar që janë të vërteta, pra po të kishin besuar se janë dëmtuar raportet me partnerët ndërkombëtar nuk do të kishin lënë që të kalojë jo çështje kaq lehtë”, beson ai.

Në kushte normale, zgjedhjet parlamentare do të duheshin të mbaheshin në shkurt të viti 2025, mirëpo si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita ka një pajtueshmëri që të njëjtat të mbahen më herët, por ende nuk janë pajtuar për mënyrën se si kjo të ndodhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore