Lajme

Nëna e Navalny-t kërkon nga Putini t’i kthejë trupin e të birit


Nëna e Alexei Navalny-t i ka drejtuar thirrje presidentit rus Vladimir Putin për kthimin e trupit të tij.

Në një video të filmuar jashtë burgut ku ai ndërroi jetë, ajo ka thënë se po përpiqej ta shihte për pesë ditë. Por as nuk e dinte se ku ishte.

“Kam pesë ditë që nuk mund ta shoh, po refuzojnë të ma japin trupin e tij dhe as që thonë se ku është”.

“Po ju pyes, Vladimir Putin – gjithçka varet vetëm nga ju. Më lejoni të shoh më në fund djalin tim. Unë kërkoj që trupi i tij të lirohet menjëherë në mënyrë që t’i bëj një varrim të denjë”.

Edhe gruaja, Yulia, u ka kërkuar autoriteteve të mos i ndalonin të dashurit e tij që t’i thonë lamtumirë.

Yulia Navalnaya kërkon kthimin e trupit të Navalnyt, për ta varrosur me dinjitet

Sakaq, familjes i është thënë se trupi i tij nuk do të kthehet për dy javë.

Nëna e tij u informua se po mbahej për kryerjen e “analizave kimike”.

Ndërkohë nuk ka asnjë konfirmim për vendndodhjen e trupit nga autoritetet ruse, teksa përpjekjet për gjetjen e tij janë mbyllur vazhdimisht.

Yulia ka pretenduar se trupi i burrit të saj po mbahej derisa gjurmët e helmimit nga agjenti nervor Novichok të ishin zhdukur.

Navalny i mbijetoi një përpjekjeje për ta vrarë në vitin 2020.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka quajtur akuzat “të pabaza dhe vulgare”.

Agjencia ruse e lajmeve Tass ka raportuar sakaq se një çështje e re penale ka nisur kundër vëllait të Navalny-t, Oleg.

Ai tashmë është në kërkim nga policia.

​ Vdekja e Navalny-t në burg u njoftua të premten.

Autoritetet në koloninë penale siberiane ku ai po mbahej thanë se ai kurrë nuk kishte rifituar vetëdijen pasi u rrëzua pas një shëtitjeje.

Zyrtarët thanë më vonë se Navalny kishte pësuar “sindromën e vdekjes së papritur”.

Nëna dhe avokati i tij udhëtuan për në koloninë e largët sapo u dha lajmi për vdekjen e tij.

Por përpjekjet për gjetjen e trupit janë mbyllur vazhdimisht.

Të hënën, Kremlini tha se një hetim për vdekjen e tij ishte në vazhdim dhe se ende nuk kishte “asnjë rezultat”.

Navalny, i cili ishte lideri më i rëndësishëm i opozitës ruse për dekadën e fundit, kishte vuajtur një dënim 19-vjeçar për akuza që shumë i konsideronin si të motivuara politikisht.

Udhëheqësit perëndimorë ia kanë vënë fajin presidentit Putin për vdekjen e Navalny. Si BE ashtu edhe SHBA kanë thënë se po shqyrtojnë sanksione të reja ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore