Përballje

NBA/ Vazhdon të shkëlqejë Suns, Bucks marrin fitoren e radhës, ndërsa zhytet në krizë Rockets


Mbrëmjen e së hënës, janë zhvilluar edhe 10 ndeshje në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Takimi më interesant u zhvillua në “AT&T Center”, aty ku nënkampionët e edicionit të kaluar, Phoenix Suns, mposhtën San Antonio Spurs, me rezultat të ngushtë 111:115.

Një ndeshje e dominuar nga skuadra nga Arizona në tre çerekët e parë, ndërsa në 12-minutëshin e fundit Phoenix lëshoi disi terren por gjithsesi arriti të merrte fitoren e radhës.

Davon Booker me 23 pikë dhe DeAndre Ayton me 21 pikë dhe 14 kërcime ishin dy basketbollistët që u dalluan më shumë për Suns.

Derisa, ky ishte suksesi i 13-të radhazi për Phoenix, të cilët po kalojnë formë fantastike, ndërsa për San Antonio Spurs kjo ishte humbja e pestë radhazi.

Moment i mirë edhe për kampionët e Milwaukee Bucks që regjistruan fitoren e katërt radhazi falë fitores së thellë me rezultat 123-92 ndaj Orlando Magic.

Me yllin e tyre, Giannis Antetokounmpo, i cili nuk ishte në formën e tij më të mirë, duke shënuar vetëm 12 pikë, tetë kërcime e nëntë asistime, por Buks bërën një lojë të mirë në grup, duke shënuar fitoren e katërt radhazi.

Ndeshje fantastike u zhvillua edhe në “Smart Home Arena”, aty ku Utah Jazz u mposht me vetëm një pikë dallim nga Memphis Grizzlies, me shifrat 118:119.

Kjo ishte humbja e parë pas tre fitoreve radhazi të Jazz, derisa Grizzlies u rikthyen te fitorja pas humbjes së thellë në ndeshjen e fundit ndaj Minnesota Timberwolves.

Ndërkohë, fitoren e gjeti edhe Brooklyn Nets, që mposhtën në udhëtim Cleveland Cavaliers me rezultat 112:117.

Kjo ishte fitorja e gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit për Nets, të cilët për momentin kryesojnë tabelën në Konferencën e Lindjes me 13 fitore e pesë humbje.

Ndërkohë, Huston Rockets është zhytur në krizë të thellë rezultatesh, teksa mbrëmjen e kaluar pësuan humbjen e 16-të brenda 17 ndeshjeve në këtë edicion.

Rockets u mposhtën me rezultat të thellë 108:90 nga Boston Celtics, ku heroi i takimit ishte Jason Tatum me 30 pikë, gjashtë kërcime dhe tre asistime.

Ndeshjet e tjera të zhvilluara mbrëmjen e së hënës në NBA:

Washington Wizards 103 – 109 Charlotte Hornets

Atlanta Hawks 113 – 101 Oklahoma City Thunder

Chicago Bulls 77 – 109 Indiana Pacers

New Orleans Pelicans 96 – 110 Minnesota Timberwolves

Sacramento Kings 94 – 102 Philadelphia 76ers

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore