Shqipëria

Nano: Grupe pune për ristrukturimin e Policisë së Shtetit, rritje të punonjësve aty ku ka nevojë


“Prej një muaji është iniciuar ngritja e grupeve të punës për ristrukturimin e Policisë së Shtetit, përmirësimin dhe analizën e rregullimit të strukturës organike. Kjo ka të bëjë me analizë, për përmirësim të strukturës organike dhe për të rritur numrin e punonjësve të policisë aty ku ka më shumë nevojë.”.

Kjo ishte përgjigja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në Komisionin e Sigurisë, për sa i përket ndryshimeve në strukturën e komisariateve dhe mënyrën e menaxhimit dhe luftën kundër krimit.

Nano deklaroi se Policia e Shtetit vepron sipas një plani operacional dhe përdoret një fond i veçantë lidhur me informacionet.

“Lidhur me fondin e shërbimit të informatorit, ne kemi një fond. Nëse komisionit i duhet një shifër për pagesat që kemi bërë për informatorët mund t’ua vëmë në dispozicion një herë tjetër”.

Për sa i përket vonesës në Policisë në vendin e ngjarjes, Nano shtoi se, “planet operacionale zbatohen dhe vihen në shërbim kur ka ngjarje kriminale, për të bërë bllokimin e zonave dhe lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura kemi iniciuar rishikimin e tyre, që duhet të jenë më efikase dhe të reagojnë më shpejt”.

“Drejtoritë vendore kanë një strukturë dhe kanë detyrim bazuar në ligje dhe akte për bashkëpunim midis tyre, ku niset dhe nga dinamika e kriminalitetet që qytetet dhe vende të ndryshme kanë”.

Kreu i policisë së Shtetit u ndal dhe te bashkëpunimi “i shkëlqyer” me Prokurorinë.

“Detyra e policisë është të vërë në dije Prokurorinë, asnjëherë nuk kemi pasur mungesë të tij”.

Operacione të kryera nga Policia e Shtetit

Një ndër pyetjet në Komision kishte të bënte me dy vrasje të ndodhura vite më parë. Njëra ishte e lidhur me vrasjen e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi në vitin 2009. Tjetra me vrasjen e ish-gjyqtarit Skerdilajt Konomi në vitin 2011.

Rreth këtyre dy vrasjeve Nano i bëri me dije anëtarëve se, “është sekret hetimor dhe janë çështje ende nën hetim”.

Në përfundim Nano theksoi se Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit nivelin e kriminaliteti e ka më të ulët.

“Dua t’ju sqaroj se për numër popullsie në vendin tonë jemi në nivele të përafërta me numrin e vrasjeve të ndodhura në Bashkimin Evropian. Numri i vrasjeve në Shqipëri është më i vogël se në Bullgari dhe Rumani”, e përmbylli Nano duke ritheksuar se vrasjet janë drejt rënies në krahasim me vitet e tjera.

Nano gjatë kësaj dite ka raportuar në Komisionin e Sigurisë lidhur me përformancën e Policisë së Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore