Kosova

Nagavci: Jemi të përkushtuar që të kemi shkolla cilësore e të sigurta për të gjithë


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, përmes një video-mesazhi në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve u shpreh se të gjithë fëmijet duhet të edukohen, arsimohen e zhvillohen.

“Në kuadër të fushatës nacionale për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve po e hapim sot si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Javën kundër braktisjes së mësimit, me qëllim të ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët pa asnjë dallim”, ka thënë Nagavci.

Tutje ajo ka shtuar se kjo javë do të jetë e mbushur me punë e aktivitete të rëndësishme.

“Kjo javë dhe çdo ditë e jona është e mbushur me punë e aktivitete të rëndësishme, sepse jemi të përkushtuar që të kemi shkolla cilësore, mike, e të sigurta për të gjithë. Fatmirësisht, nga viti në vit, po zvogëlohet numri i braktisjes së mësimit”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë video-mesazhi në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve

Por, megjithatë ka theksuar se çdo shifër, çdo fëmijë që nuk vijon mësimin, është brengosëse.

“Prandaj, bëj thirrje për sensibilizimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse, qofshin ato arsimore, shëndetësore, sociale dhe të tjera, që bashkë me komunitetin e prindërve dhe grupet tjera të interesit të mobilizohemi në parandalimin, identifikimin, raportimin, referimin dhe trajtimin efikas të secilit rast të braktisjes së shkollimit dhe të problemeve të tjera me të cilat ballafaqohen fëmijët, e që duan veprim institucional”.

Siç u shpreh ministrja puna ndaj fëmijëve duhet të bëhet duke u bazuar në Konventën e të drejtave të fëmijëve dhe kuadrit ligjor.

“Të gjithë fëmijët duhet të edukohen, arsimohen dhe të zhvillohen brenda potencialit fizik, intelektual, social e emocional, ashtu siç e kërkon edhe Konventa e të drejtave të fëmijëve dhe kuadri ynë ligjor. Të punojmë bashkë për të realizuar të drejtat e secilit fëmijë në Republikën e Kosovës”.

Këtë të shtune janë mbushur 62 vjet nga deklarata për të Drejtën e Fëmijëve nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 32 vjet nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore