Lajme

Murphy, Vuçiç-it: Duhesh të marrësh menjëherë masa për de-përshkallëzimin e situatës


Senatori amerikan, Chris Murphy.

“Presidenti [i Serbisë, Aleksandër] Vuçiç duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të de-përshkallëzuar situatën dhe për të siguruar që ka përgjegjësi për këtë akt të urryer”, ka thënë senatori amerikan, Chris Murphy.

Këto komente Murphy i bëri pas lirimit të kryekriminelit Milan Radojiçiç, nga paraburgimi në Serbi.

“Autorët që së fundi vranë një rreshter të policisë së Kosovës në Veri të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Murphy.

Në një komunikatë zyrtare në faqen e tij, Murphy theksoi se pasojat e atij sulmi terrorist mund të kishin qenë “katastrofike”.

“Armatimi i avancuar dhe niveli i sofistikimit të përdorur tregojnë se kjo ishte një përpjekje e mirëkoordinuar dhe e qëllimshme për të provokuar një konflikt më të gjerë të dhunshëm”, shtoi.

Tutje, senatori amerikan pohoi se është thellësisht i shqetësuar që lirimi i Radojiçiç-it, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, “do të rrisë më tej tensionet midis Serbisë dhe Kosovës dhe do të minojë perspektivën për zbatimin e plotë të angazhimeve të marra në Dialogun e lehtësuar nga BE”.

Vučić: Situacija na KiM teška, o svemu ću opširno govoriti ...
Aleksandër Vuçiç dhe Milan Radojiçiç

Çka ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore