Lajme

Murati: Politikat tona të punësimit po funksionojnë – 10 mijë punëkërkues në “Superpuna”


Foto: Albanian Post

Sipas ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, politika e punësimit të Qeverisë Kurti janë duke funksionuar.

Nga këndvështrimi i tij, kjo është vërtetuar nga fakti se në platformën online “Superpuna” afro 10 mijë punëkërkues kanë qenë të regjistruar dhe të verifikuar.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga “Superpuna”.

“10 mijë punëkërkues të regjistruar dhe të verifikuar në superpuna. Të rinjtë e moshave 18-25 vjeçare të interesuar për mundësi punësimi mund të regjistrohen në superpuna”, thuhet në komunikatë.

Në muajin maj për afro 2 mijë punëtorë janë ekzekutuar pagat nga “Superpuna”, të cilët janë angazhuar përmes këtij aplikacioni në punësim gjatë muajve shkurt dhe mars.

Edhe në muajin mars ministri i Financave kishte bërë të ditur se përmes “superpunës” janë punësuar mbi 1 mijë të rinj.

Nëse i keni 18 vjet dhe nuk jeni punësuar akoma, asnjëherë, Qeveria e Kosovës ka menduar për ju.

Përmes platformës online “superpuna”, të gjithë punëkërkuesit të cilët nuk kanë pasur kontratë pune paraprake dhe këtë e bëjnë për herë të parë, përmes platformës, Qeveria do të subvencionojë 264 euro rrogë për 6 muajt e parë të punës, në kompaninë që e gjejnë po përmes kësaj platforme.

Derisa në përgjithësi është parë si një politikë e mirë e qeverisë, ka pasur edhe skeptikë të ndryshëm për platformën dhe për atë se kush realisht fiton nga kjo politikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore