Lajme

Punëtorët apo bizneset, kush ia sheh hajrin “superpunës”?


Nëse i keni 18 vjet dhe nuk jeni punësuar akoma, asnjëherë, Qeveria e Kosovës ka menduar për ju.

Përmes platformës online “superpuna”, të gjithë punëkërkuesit të cilët nuk kanë pasur kontratë pune paraprake dhe këtë e bëjnë për herë të parë, përmes platformës, Qeveria do të subvencionojë 264 euro rrogë për 6 muajt e parë të punës, në kompaninë që e gjejnë po përmes kësaj platforme.

“Që nga lansimi i platformës, mbi 2000 punëkërkues janë regjistruar dhe verifikuar në superpuna!”, ka shkruar ministri i Financave Hekuran Murati, kur ka njoftuar për të dhënat e fundit nga platforma.

Derisa në përgjithësi është parë si një politikë e mirë e qeverisë, ka edhe skeptikë të ndryshëm për platformën dhe për atë se kush realisht fiton nga kjo politikë.

Arbina Kryeziu, 26 vjeç nga Prishtina, e punësuar tashmë në një kompani private në Prishtinë thotë se nga kjo platformë përfitojnë veç kompanitë, por jo edhe punëtorët e sektorit privat.

“Kur e kom pa këtë njoftim për platformën, e kom pa edhe e kom analizu që unë si punëtore nuk përfitoj kurrgjë. Unë, nëse kisha qenë 18 vjeçe edhe e kisha bë kontratën e parë, në këtë rast përfiton veç kompania, sepse atë rrogë që ma ofron një punëdhënës unë atë rrogë kam për ta marrë, jo 264 euro ekstra”, ka thënë ajo në një intervistë për Albanian Post.

“Ideja më ka pëlqyer, por më kish pëlqyer më shumë nëse kisha përfituar edhe unë si punëtore në sektorin privat. Është mirë që kompania përfiton, por punëtorët në këtë rast nuk përfitojnë asgjë”, është shprehur ajo.

Gjithsesi, platforma është e hapur për ata që nuk janë të punësuar akoma, jo për ata që tashmë kanë një punë.

Por, as të tillët ajo beson se nuk motivohen dot me një pagë prej 264 eurosh.

“Prapë nuk është ndonjë lloj motivi për të rinjtë që të mos dalin jashtë, se kjo është brenga më e madhe e qeverisë, që të rinjtë po dalin. Ata po dalin për një rrogë më të mirë, sepse çmimet janë rritë ekstrem shumë”, thotë ajo.

Meqë ka nevojë për tetë punëtor të rinj, kërkesë në platformën “superpuna” ka bërë edhe “Puntex” e cila merret me qepjen e uniformave të punës.

Djella Hashani, pronare e kompanisë, ka thënë për Albanian Post se e mirëpresin këtë mbështetje nga qeveria, ani pse nuk është e mjaftueshme në krizën aktuale që po përjetohet në vend.

“Ne kemi nevojë për punëtorë. Kjo mbështetje prej 6 muajve është mbështetje e mirë për neve, ne kemi nevojë edhe për më shumë mbështetje në këtë kohë krizash, siç po e shihni të gjithë”.

Megjithatë Hashani nuk e mohon se ndihma kishin edhe nga Enti për punë, përmes granteve të financuara nga organizata të huaja.

“Ne na ka ndodhë disa herë edhe Zyra për Punësim na ka mbështetë me nga 100 euro, edhe USAID na ka mbështet me nga 100 euro. Enti për punë e ka pas një projekt nga UNDP, 6 mujor, ka qenë një subvencion që na ka ndihmuar me punëtor të rinj”, tregon ajo për Albanian Post.

Ndër të tjera, Hashani pret që përmes kësaj platforme të gjej punëtorë të rinj, e të pa përvojë pasi që e ka më lehtë të bashkëpunojë me ta.

“Shumë kemi problem me gjet punëtorë. Kur i gjejmë më në moshë, ata gjithmonë kanë problem shëndetësor e kështu, këta të rinjtë rrinë pak e ikin pastaj”.

“Neve edhe më shumë na konvenon me qenë pa përvojë, sepse ne kemi trajnues shumë të mirë në prodhim dhe na intereson që ne vetë t’i mësojmë ata se si shkojnë punët në prodhim. Dikush që është e re, e mëson mirë. Puna në prodhim në seri është krejt ndryshe nga rrobaqepësia e zakonshme, kjo është krejt diçka tjetër. Neve na konvenon që janë pa përvojë e fillojnë nga zero”, ka rrëfyer ajo.

 

Erton Bega, analist ekonomik

Njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Beka, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se kjo platformë është reklamuar si marketing politik që në fokus ka punësimin e të rinjve, por nuk është asgjë më shumë sesa mbështetje e bizneseve ekzistuese në vend.

“Superpuna është një platformë e emërtuar bukur e që tingëllon mirë për marketing politik për punësimin e të rinjve, por në fakt është mbështetje për bizneset në punësimin e gjeneratave të reja të moshës 18-25 vjeç”, ka thënë Beka, për Albanian Post.

“Nga këndvështrimi i sektorit privat kjo masë vlerësohet pozitive pasi suporton pagën e plotë apo të pjesshme për 6 muaj, por në aspektin ekonomik nuk gjeneron vende të reja pune, pasi mund të provokojë edhe ndërrimin e punëtorëve nga bizneset me qëllim përfitimin nga kjo platformë”, vazhdon më tej ai.

“Si masë suportuese mund të sjell efekt pozitiv në formalizim të vendeve të punës në sektorin e gastronomisë dhe në biznese të vogla ku mund të ketë të punësuar në të zezë, por nuk sjell punësim të qëndrueshëm për shkak të kohëzgjatjes së shkurtë”, përfundon ai.

Platforma “superpuna”, u krijua nga Qeveria e Kosovës me qëllim rritjen e punësimit të të rinjve. Në kuadër të saj, Qeveria e Kosovës subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën minimale të punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.

Por, pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund ta mbajë në punë punëtorin duke nënshkruar kontratë të re, apo edhe mund ta shkarkojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore