Lajme

Murati thotë se mbi 1 mijë të rinj janë punësuar përmes “superpunës”


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati konsideron se për tri javë të projektit “Superpuna”, janë punësuar mbi 1 mijë të rinj, të moshave 18 deri në 25 vjec.

Kështu është deklaruar Murati përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Për vetëm 3 javë, statistikat e Superpuna duken kështu: mbi 3 mijë punëkërkues të verifikuar, mbi 2 mijë punëdhënës që ofrojnë punë, mbi 1 mijë marrëdhënie pune/punësime”, ka shkruar Murati.

Duke thënë se pavarësisht të punësuarve, akoma kanë mbetur pozita të lira.

‘Si dhe janë mbi 1,500 pozita të lira pune për të rinjtë 18-25 vjeç”.

Nëse i keni 18 vjet dhe nuk jeni punësuar akoma, asnjëherë, Qeveria e Kosovës ka menduar për ju.

Përmes platformës online “superpuna”, të gjithë punëkërkuesit të cilët nuk kanë pasur kontratë pune paraprake dhe këtë e bëjnë për herë të parë, përmes platformës, Qeveria do të subvencionojë 264 euro rrogë për 6 muajt e parë të punës, në kompaninë që e gjejnë po përmes kësaj platforme.

“Që nga lansimi i platformës, mbi 2000 punëkërkues janë regjistruar dhe verifikuar në superpuna!”, ka shkruar ministri i Financave Hekuran Murati, kur ka njoftuar për të dhënat e fundit nga platforma.

Derisa në përgjithësi është parë si një politikë e mirë e qeverisë, ka edhe skeptikë të ndryshëm për platformën dhe për atë se kush realisht fiton nga kjo politikë.

Arbina Kryeziu, 26 vjeç nga Prishtina, e punësuar tashmë në një kompani private në Prishtinë thotë se nga kjo platformë përfitojnë veç kompanitë, por jo edhe punëtorët e sektorit privat.

“Kur e kom pa këtë njoftim për platformën, e kom pa edhe e kom analizu që unë si punëtore nuk përfitoj kurrgjë. Unë, nëse kisha qenë 18 vjeçe edhe e kisha bë kontratën e parë, në këtë rast përfiton veç kompania, sepse atë rrogë që ma ofron një punëdhënës unë atë rrogë kam për ta marrë, jo 264 euro ekstra”, ka thënë ajo në një intervistë për Albanian Post.

“Ideja më ka pëlqyer, por më kish pëlqyer më shumë nëse kisha përfituar edhe unë si punëtore në sektorin privat. Është mirë që kompania përfiton, por punëtorët në këtë rast nuk përfitojnë asgjë”, është shprehur ajo.

Gjithsesi, platforma është e hapur për ata që nuk janë të punësuar akoma, jo për ata që tashmë kanë një punë.

Por, as të tillët ajo beson se nuk motivohen dot me një pagë prej 264 eurosh.

“Prapë nuk është ndonjë lloj motivi për të rinjtë që të mos dalin jashtë, se kjo është brenga më e madhe e qeverisë, që të rinjtë po dalin. Ata po dalin për një rrogë më të mirë, sepse çmimet janë rritë ekstrem shumë”, thotë ajo.

Meqë ka nevojë për tetë punëtor të rinj, kërkesë në platformën “superpuna” ka bërë edhe “Puntex” e cila merret me qepjen e uniformave të punës.

Djella Hashani, pronare e kompanisë, ka thënë për Albanian Post se e mirëpresin këtë mbështetje nga qeveria, ani pse nuk është e mjaftueshme në krizën aktuale që po përjetohet në vend.

“Ne kemi nevojë për punëtorë. Kjo mbështetje prej 6 muajve është mbështetje e mirë për neve, ne kemi nevojë edhe për më shumë mbështetje në këtë kohë krizash, siç po e shihni të gjithë”.

Megjithatë Hashani nuk e mohon se ndihma kishin edhe nga Enti për punë, përmes granteve të financuara nga organizata të huaja.

Punëtorët apo bizneset, kush ia sheh hajrin “superpunës”?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore