Lajme

Ministri Mehaj e Gjeneral Jashari takohen me Komandantin e KFOR-it


Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, bashkë me Komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajar dhe Gjeneral Bashkim Jashari

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, teksa ka pritur në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajar, ka thënë se bashkëpunimi midis Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it “do të vazhdojë të jetë i shkëlqyeshëm”.

“Sot i shoqëruar nga Gjeneral Jashari, pritëm në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari. Me këtë rast, Gjeneral Kajarit i ritheksova mirënjohjen për kontributin e KFOR-it në sigurinë e vendit dhe më gjerë”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Sipas njoftimit të minsitrit Mehaj, thuhet se nga ana e tij, gjeneral Kajari uroi Gjeneral Jasharin për detyrën e Komandantit të FSK-së.

“E uroi Jasharin, duke u shprehur për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me të, si dhe të gjitha aktivitetet e përbashkëta KFOR- FSK”, vijon njoftimi.

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, bashkë me Komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajar dhe Gjeneral Bashkim Jashari

Ndërkaq, Gjeneral Jashari, me këtë rast, falënderoi Gjeneral Kajarin për urimin dhe “shprehu gatishmërinë e plotë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta”.

“Kjo, jo vetëm në stërvitje, por edhe aktivitete dhe operacione të përbashkëta në funksion të qytetarëve të vendit, si dhe sigurisë dhe stabilitetit vendor dhe rajonal”.

Pas emërimit të gjeneralmajor Bashkim Jasharit në krye të FSK-së, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ish-gjenerali  Rrahman Rama do të angazhohet në Qendrën Rajonale të Ndihmës për Verifikimin dhe Zbatimin e Kontrollit të Armëve (RACVIAC) me seli në Kroaci.

Por, çfarë është RACVIAC?

Organizata ka për qëllim nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në Evropën Juglindore.

RACVIAC është themelua në vitin 2000 si Qendra Rajonale e Ndihmës për Verifikimin dhe Zbatimin e Kontrollit të Armëve me qëllim që të ofrojë trajnime për kontrollin e armëve, të promovojë masat e ndërtimit të besimit dhe sigurisë dhe të zgjerojë bashkëpunimin në Evropën Juglindore (EJL).

RACVIAC

Në mbledhjen e mbajtur më 10 tetor të vitit 2014, Republika e Kosovës ishte ftuar të marrë pjesë në baza të përhershme, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta në të gjitha aktivitetet dhe takimet e RACVIAC & MAG, por me fusnotë (*).

Këto zhvillime ndodhën pasi, javën e shkuar, Albanian Post kishte raportuar se kishte dy muaj që po përgatitej shkarkimi i gjenerallejtënant Ramës.

Kërkesa e ministrit Mehaj, për t’i përdorur automjetet e tipit M1117 ASV, në kundërshtim me marrëveshjen me Departamentin e Mbrojtjes, në operacionin e Policisë së Kosovës në veriun e vendit, ka thyer përfundimisht shtizat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore