Sport

Milan-i afër mbylljes së marrëveshjes me Botman


Milan-i është shumë afër mbylljes së marrëveshjes me skuadrën e Lille, për të transferuar futbollistin e tyre, Sven Botman.

Sipas asaj që raporton “Calciomercato.com” drejtuesit e klubi kuqezi kanë arritur marrëveshje me skuadrën franceze që Botman të transferohet në Itali në verën e ardhshme.

Shuma e mbylljes së marrëveshjes thuhet të jetë për 27 milionë euro plus gjashtë të tjera në formë të bonuseve, me Botman-in që e pret një kontratë katër-vjeçare me “djallin”.

Gjithashtu edhe mbrojtësi 22 vjeçar e dëshiron një lëvizje drejt Milan-it, pasi që ai refuzoi një kontratë shumë milionëshe për t’iu bashkuar klubit të Newcastle United.

Mbrojtësi holandez në fakt u kërkua me ngulm nga Milan-i gjatë këtij afati kalimtar dimëror, por Lille nuk dëshironte të privohej nga ai në gjysmë të sezonit.

Drejtuesit e Lille dëshirojnë të sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, gjithashtu mendojnë të bëjnë paraqitje sa më të mira në fazën e 1/8-ve të Champions-it ndaj Chelsea-, andaj për këtë arsye nuk lejuan largimin e mbrojtësit të tyre në janar.

Te Milan-i e shohin yllin holandez si një përforcim me shumë vlera, pasi që ai do të ishte partneri i përsosur me Fikayo Tomori-in në dyshen e mbrojtjes.

Gjithashtu mediat në Itali raportojnë që kjo është arsyeja pse drejtuesit kuqezi nuk nxituan për të sjellë një mbrojtës gjatë janarit.

Sven Botman është një mbrojtës shtatëlart, i cili pati ngritje të madhe në karrierën e tij. Vlera e tij në treg, sipas “Transfermarkt” llogaritet të jetë 30 milionë euro.

Kujtojmë që ai u transferua te kampionët e Francës në verën e vitit 2020, të cilët shpenzuan te Ajax-i shumën e 8 milionë eurove.

Botman deri më tani ka regjistruar 67 paraqitje me fanellën e Lille në të gjitha garat, ku ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në dy raste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore