Lajme

Merkel-Macron bindën Zaev të presë për dorëheqjen


“Angela Merkel dhe Emmanuel Macron e bindën Zoran Zaevin të shtynte dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut”.

Kështu deklaroi një zyrtar i Lartë i Lidhjes Social Demokrate (LSDM) për median maqedonase “Focus”, pasi Kancelarja e Gjermanisë në largim dhe Presidenti francez, e siguruan Zaevin që në dhjetor do të hapen negociatat me Bashkimin Evropian.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, një ditë më parë para anëtarëve të partisë së tij theksoi se shtyrja e dorëheqjeve të tij nga kryesia dhe si kryeministër nuk do të thoshte se ai do të ndryshojë mendjen për vendimin për t’u larguar definitivisht si nga qeveria ashtu edhe nga partia.

Siç thanë për “Focus” burime të larta partiake, ai ka theksuar se do të qëndrojë në krye për të parandaluar destabilizimin e shumicës parlamentare dhe qeverisë, përballë sfidave serioze me të cilat përballet vendi, veçanërisht në politikën e jashtme.

Sipas tyre, Zaev vuri në dukje se shumë liderë ndërkombëtarë me ndikim e kishin kontaktuar për ta bindur që të mos tërhiqej, duke përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Sipas një zyrtari të lartë të LSDM-së, ata e kanë siguruar liderin e partisë dhe kryeministrin se ka shanse të mëdha që vendi përfundimisht të fillojë negociatat me BE-në në dhjetor, ndonëse ekspertët, opozita dhe një pjesë e qeverisë janë specifike për një rezultat të tillë.

Pavarësisht epilogut, Zaev planifikon të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit në fund të këtij apo në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa, sipas LSDM-së, Bordi Qendror i ardhshëm duhet të shpallë procedurën për zgjedhjen e kreut të ri.

Zaev më 31 tetor dha dorëheqjen pas rezultatit zhgënjyes në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.

“Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet. Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, pati deklaruar Zaev para mediave.

Ndërkaq, ai përgëzoi kundërshtarët për fitoren në këto zgjedhje dhe mori gjithë përgjegjësinë e rezultatit zgjedhor mbi shpatulla.

Nga ana tjetër partia opozitare VMRO-DPMNE dorëzoi të hënën e 8 tetorit nismën në parlament për mocion votëbesimi ndaj kryeministrit Zoran Zaev.

Historiku i Zaev

Në qershor të vitit 2017, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 62 vota pro dhe 44 kundër dhe 5 të përmbajtur votonte qeverinë e re me në krye Zoran Zaev.

Pro Qeverisë votuan asokohe deputetët e shumicës parlamentare, kundër ata të VMRO-së.

Koalicionin e ri qeveritar e përbënin tri parti politike, një maqedonase LSDM dhe dy shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.

Për herë të parë në historinë parlamentare të maqedonasve, shqiptarët kishin edhe postin e kryetarit të parlamentit.

Kryeministri i qeverisë Zoran Zaev deklaronte se kabineti i tij do të do të punonte për kthimin e normalitetit në vend, sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik si dhe integrimin euroatlantik të vendit.

“Me besim të madh do të punojmë të gjithë së bashku, në interes të të gjithë qytetarëve, në interes të Maqedonisë tonë të përbashkët. Unë dhe kabineti im do të punojmë për bashkimin dhe jo ndarjen e popullit, do të punojmë për jetë më të mirë, për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet, për të ardhme më të mirë për të gjithë”, theksonte Zaev.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti
Viti 2020

Në gusht të vitit 2020 arrihej marrëveshja për qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev e deklaronte këtë marrëveshje fill pas takimit të mbajtur me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Zaev theksonte më shumë se një vit më parë se do të ishte kryeministër i vetëm i vendit për 4 vitet e plota të qeverisë LSDM-BDI.

Menjëherë pas Zaev reagonte edhe Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti  i cili shprehej i bindur se ai vendim, pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtar për vazhdimin e proceseve integrues.

Mandati i LSDM-së

Zoran Zaev e drejtonte LSDM-në që nga vitit 2013 dhe në mars të vitit 2021 u rizgjodh për herë të tretë në krye të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

Gjatë zgjedhjeve brenda partisë Zaev ishte i vetëm në garë dhe anëtarët e partisë mund të votonin pro ose kundër tij.

Nga 60 mijë e 840 pjesëmarrës në zgjedhjen e kreut të LSDM-së, 888 prej tyre votuan kundër, kurse 249 vota ishin të pavlefshme.

Pas konfirmimit në krye të partisë, Zaev theksonte se në katër vitet e ardhshme LSDM-ja do të ishte “lokomotiva” që sipas tij do ta çojë përpara shoqërinë e Maqedonisë së Veriut.

“Unë ndiej një përgjegjësi dhe detyrim të madh për të justifikuar pritjet tuaja. Partitë e vërteta shtetndërtuese kanë një përgjegjësi dhe një detyrim për të promovuar demokracinë në radhët e tyre, por edhe në atdhe”, ravijëzonte Zaev.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore