Lajme

Aleatët e Zaev: Mos u dorëhiq, vendi drejt katastrofës


Zoran Zaev, e ka bërë fakt të kryer zbritjen e tij nga posti i kreut të Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet lokale gjatë raundit të dytë të 31 tetorit, por aleatët duan domosdoshmërisht qëndrimin e tij në pushtet.

Zëvendëskryeministri, Artan Grubi, e ka cilësuar si “të nxituar” vendimin për dorëheqje. Ai ka bërë me dije për mediat se të gjithë aleatët e koalicionit qeverisës, kanë shprehur këtë qëndrim në një takim pas zgjedhjeve.

Pikërisht për këtë arsye, i kanë kërkuar atij të mos e japë dorëheqjen. Kjo, pasi zgjedhjet lokale, nuk kanë të bëjnë me mazhorancën parlamentare.

Zoran Zaev jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit

Arianit Hoxha nga ana tjetër, ministër i Bujqësisë dhe kryetar i Lëvizjes Besa, ka argumentuar se një palë zgjedhje parlamentare të parakohshme, do të ishin me pasoja negative. Për të, qeveria i ka marrë votat dhe një mandat të qartë, për të drejtuar vendin katër vitet e ardhshme.

Madje, ai ka arritur deri aty sa këtë skenar, ta cilësonte si një katastrofë e mundshme për vendin.

Prononcimin e Zaev ndërkaq, e ravijëzoi si të pakonsultuar me koalicionin dhe të nxituar.

Zoran Zaev mori gjithë përgjegjësinë e rezultatit zgjedhor mbi shpatulla, duke e lënë karrigen kryeministrore bosh. Takimi mes aleatëve u thirr nga vetë ai pas vendimit radikal.

Në bazë të nenit 93 të Kushtetutës, nëse Zaev jep realisht dhe formalisht dorëheqjen, e njëjta gjë ndodh edhe me gjithë Qeverinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore