Lajme

Opozita dorëzon në parlament nismën për mocion votëbesimi ndaj kryeministrit Zaev


Maqedonia e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, partia opozitare VMRO-DPMNE e dorëzoi të hënën pasdite nismën në parlament për mocion votëbesimi ndaj kryeministrit Zoran Zaev, raportojnë mediat maqedonase.

Partia i kishte bërë një lloj ultimatumi Zaev-it se nëse nuk do ta dorëzonte dorëheqjen në parlament deri këtë të hënë në orën 14:30, ajo do të ngrejë mocionin e votëbesimit kundër tij.

Nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski, u tha mjeteve të informimit se nismën e kanë nënshkruar 61 deputetë, një shumicë e nevojshme kjo që mjafton për ta rrëzuar qeverinë.

Por, deputeti i partisë Alternativa, Skender Rexhepi , megjithëse nënshkrimi i tij figuron në nismën e VMRO-së, thotë se nuk pajtohet të bëhet pjesë e një grupi ku bën pjesë edhe partia nacionaliste maqedonase ‘ E Majta’, drejtuesi i së cilës, Dimitar Apasiev ka theksuar se do të angazhohet për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë së Veriut dhe tërheqjen e vendit nga anëtarsimi në NATO; bën politika kundër BE-së dhe kundër ndjenjave fetare të shumicës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Rexhepi ka thënë se VMRO-ja nuk u kishte treguar se edhe drejtuesi i së majtës do të merrte pjesë në takimin e së premtes për formimin e një shumice të re parlamentare.

Pa votën e ligjvënësit Rexhepi të Alternativës nuk arrihet numri i duhur prej 61 votash, megjithatë, VMRO-ja pret që Rexhepi të votojë për rrëzimin e qeverisë.

Parlamenti deri të enjten duhet të mblidhet në seancë për të debatuar lidhur me mocionin e ngritur nga opozita.

Nëse bie Qeveria Zaev, presidenti i vendit duhet që brenda një afati prej dhjetë ditësh t’ia japë mandatin një politikani apo partie që garanton se ka formuar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh në parlamentin prej 120 vendesh.

Ndërkaq Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka bërë thirrje për seancën për mocionin e votëbesimit të Qeverisë, e cila seancë do të mbahet ditën e enjte në ora 11.00.

“Informojmë se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është parashtruar Kërkesë për votimin për besimin ndaj Qeverisë dhe e njëjta është arkivuar nga shërbimet përgjegjëse”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Kuvendit të Maqedonisë.

Të dielën e 31 tetorit, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqjeje nga pozita e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Dorëheqja e tij e cila u konsiderua si e pa precedent në historinë e Ballkanit. Përpos largimit nga pozita e kryeministrit ka përfshirë edhe largimin nga posti i kryetarit partisë të LSDM-së.

Zoran Zaev

“Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet. Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, deklaroi Zaev para mediave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore