Lajme

Pas dorëheqjes Zaev mbledh partnerët në Kryeministri


Pas deklaratës së dorëheqjes, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u ka bërë thirrje partnerëve të koalicionit qeverisës që të takohen në kryeministri.

Takimi do të mbahet pasditen e 1 nëntorit. Mbledhja e partnerëve vjen pas dorëheqjes si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së.

Zaev mori përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve lokale,  ku partia në pushtet humbi shumicën e komunave.

Ende nuk është bërë ende e ditur se kur do ta dorëzojë ai dorëheqjen në Kuvend.

Sipas nenit 93 të Kushtetutës, dorëheqja e kryeministrit, vdekja ose paaftësia e tij e përhershme për të kryer funksionin, sjellin dorëheqjen e Qeverisë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut ka publikuar rezultatet e para jozyrtare pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas tyre VMRO-DPMNE ka arritur të marrë fitoren në 20 komuna.

Ajo ndiqet nga LSDM-ja me shtatë komuna, BDI-ja gjithashtu shtatë.

Aleanca për Shqiptarët/Alternativa dhe Lëvizja Besa kanë fituar nga dy komuna.

Ndërsa nga ana tjetër PDSH, GROM dhe koalicioni PLD/RDM, kanë marrë fitoren në vetëm nga një komunë.

Rezultatet zyrtare priten të shpallen gjatë ditës së sotme. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u zhvillua në 44 komuna.

Shpallja e fitores

VMRO-DPMNE e shpalli në orët e mbrëmjes fitoren në shumicën e komunave të Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave nga shtabi i kësaj partie, Shkupi është fituar nga kandidatja e pavarur, Danella Arsovska, që kishte mbështetjen e VMRO DPMNE-së dhe të opozitës shqiptare.

“Pjesëmarrja masive ishte përgjigja ndaj fushatës së zezë të qeverisë ditën e dielë. Një ditë e trishtë për qeverinë jodemokratike të kryeministrit, Zoran Zaev, një ditë e fortë për vullnetin e popullit që vendosi për ndryshim dhe një të ardhme të re.

Qeveria e Zoran Zaev-it e tregoi fytyrën e saj jodemokratike në dritë të plotë. Nga njëra anë pushteti është në panik, në anën tjetër populli dhe vullneti i tij i lirë”, deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE-ja.

Kjo parti shpalli fitoren edhe në 15 komuna të tjera

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore