Lajme

“Mercenarët kibernetikë”: Industria e spiunazhit të Izraelit po goditet në mbarë botën


Vendosja në listën e zezë dhe raportet rrëqethëse të SHBA-ve me pronaret e platformave Google, Facebook dhe Meta janë vetëm disa nga hapat që po ndërmerren kundër firmave izraelite që nuk po mbikëqyren siç duhet nga agjencitë në vend.

Në pamje të parë, startup-i izraelit “Cobwebs Technologies” duket si një tjetër kompani kibernetike.

Në faqen e saj të internetit, firma me krenari deklaron se është “një lider botëror në inteligjencën e internetit”.

Në vitin 2019, kur njoftoi se kishte mbledhur 10 milionë dollarë, kompania pretendoi se kishte zhvilluar një motor kërkimi për informacionin e inteligjencës dhe tha se donte të ishte “Google për inteligjencën”.

Ndërkaq, në fillim të krizës së coronavirus-it, Cobwebs njoftoi se kishte zhvilluar një produkt që do të parashikonte përhapjen e pandemisë, dhe madje mburrej se po punonte me Administratën e Ministrisë së Mbrojtjes për Zhvillimin e Armëve dhe Infrastrukturës Teknologjike, shkruan Hareetz.

Por raporti i publikuar nga Meta, kompania e Facebook-ut, ka ekspozuar një element më të fshehtë të aktiviteteve të kompanisë.

Meta.

Raporti përshkruan Cobwebs dhe tri kompani të tjera izraelite, si dhe tri kompani nga India, Kina dhe Maqedonia e Veriut si “mercenarë kibernetikë”.

Sipas Metës, Cobwebs aktivizon llogari të falsifikuara për klientët e saj që kryejnë mbikëqyrje online, duke përfshirë rrjetet sociale, si Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Twitter.

Për shembull, klientët mund të mbledhin informacione për aktivistë, politikanë dhe zyrtarë qeveritarë në mbarë botën.

Llogaritë e falsifikuara gjithashtu bashkohen me komunitetet dhe forumet, duke mashtruar njerëzit për të zbuluar të dhëna personale dhe më vonë duke hakuar telefonat ose kompjuterët e objektivave.

Cobwebs ka klientë në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Bangladesh e Arabi Saudite.

Raporti i Metas përmendi kompanitë izraelite Cobwebs, Cognyte, Bluehawk dhe Black Cube, si dhe Cytrox të Maqedonisë së Veriut (e cila me sa duket është në pronësi të Izraelit), firmën me bazë në Indi BellTroX dhe “një entitet i panjohur në Kinë”.

Ato përshkruhen se i përkasin një “industrie globale të mbikëqyrjes me qira” metodat e së cilës janë të ngjashme me ato të kompanisë izraelite “NSO Group Technologies”.

“Nisur nga ashpërsia e shkeljeve të tyre, ne i kemi ndaluar nga shërbimet tona”, shkruan Meta.

“Ne gjithashtu njoftuam rreth 50,000 njerëz që besojmë se ishin në shënjestër të këtyre aktiviteteve dashakeqe në mbarë botën, duke përdorur sistemin e alarmit që lançuam në vitin 2015. Së fundmi e përditësuam atë për t’u ofruar njerëzve detaje më të hollësishme rreth llojeve të shënjestrimit dhe aktorit që qëndron pas tij, kështu që ata mund të ndërmarrin hapa për të mbrojtur llogaritë e tyre, në varësi të fazës së zinxhirit të sulmeve të mbikqyrjes që zbulojmë në secilin rast”, shtoi kompania.

Në pjesën më të madhe, industria e sigurisë kibernetike funksionon nën mbikëqyrje. Ndërsa shumica e kompanive nuk specializohen në mjete të sofistikuara hakerimi si NSO, objektivat dhe metodat janë të ngjashme.

Këto kompani sigurohen që të operojnë në një zonë ligjërisht gri dhe e konsiderojnë veten si firma legjitime të grumbullimit të inteligjencës.

Mbledhja e inteligjencës nga vendet dhe kompanitë bëhet si një gjë e natyrshme, ani pse disa nga firmat thonë se mjetet e tyre ndihmojnë në luftimin e terrorit ose krimit.

Facebook po hedh në qendër të vëmendjes, për shembull, hakerimin e pajisjeve të gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe kundërshtarëve të regjimit në rreth 100 vende, përfshirë vendet jodemokratike.

Në raport, Meta nuk diskuton motivet e klientëve, por këto mund të përfshijnë mbledhjen e informacionit nga kompanitë për konkurrentët, regjimet që vëzhgojnë kundërshtarët e tyre dhe njerëz ose organizata që mbledhin informacione për zhvatje ose pretendime ligjore.

Kompanitë e sigurisë kibernetike mbledhin informacione inteligjence duke shfrytëzuar platformat në pronësi të Meta – WhatsApp, Facebook dhe Instagram.

Kjo i lejon hetuesit e Metas të identifikojnë objektivat, klientët dhe mënyrën e operimit.

Në fazën e parë, llogaria e falsifikuar bën kontakt me objektivin dhe e bind atë të vazhdojë një bisedë dhe të japë informacione të tilla si detajet e kontaktit ose fjalëkalimet.

Në fazën e dytë, softueri i mbikëqyrjes futet në telefonin ose kompjuterin e objektivit dhe i njëjti mund të jetë një mjet i sofistikuar i luftës kibernetike ose thjesht një produkt i disponueshëm.

Inxhinieri sociale

Përveç Cobwebs, Meta përmendi edhe Cognyte, firmën e drejtuar nga Elad Sharon, e cila u shkëput nga kompania izraelite Verint në viitn 2019.

Sipas raportit, Cognyte shet mjete për të menaxhuar llogaritë e falsifikuara në faqet e mediave sociale nga Facebook në YouTube.

Mjetet, thotë Meta, i lejojnë klientët “të bëjnë inxhinierë socialë dhe të mbledhin të dhëna”.

Me fjalë të tjera, ata e detyrojnë viktimën, për shembull, të zbulojë detaje të ndjeshme ose të klikojë në një lidhje me qëllim të keq.

Klientët e Cognyte janë të vendosur në vende duke përfshirë Izraelin, Kolumbinë, Kenia, Marokun, Jordaninë dhe Indonezinë, ndërsa të etiketuarit përfshijnë gazetarët dhe politikanët.

“Black Cube” – një kompani e inteligjencës korporative e drejtuar nga Dan Zorella, është tashmë e njohur me polemika dhe sipas Meta, e njëjta u mundëson klientëve të paraqiten si njerëz të tjerë dhe të marrin adresën e emailit të një personi për qëllime të sulmeve.

Objektivat janë identifikuar në industrinë mjekësore, miniera, energji dhe midis grupeve jofitimprurëse.

Ndërkaq, objektiva të tjerë kanë përfshirë aktivistë palestinezë, njerëz në mediat ruse dhe ekspertë në akademi, teknologji të lartë dhe financa.

Bluehawk, i kryesuar nga Guy Klisman, një student i divizionit kërkimor të Inteligjencës Ushtarake izraelite, ofron opsione “spyware” duke përfshirë mbledhjen e informacionit ligjor dhe menaxhimin e llogarive të falsifikuara të krijuara për të bindur njerëzit të instalojnë një aplikacion.

Viktimat përfshijnë politikanë dhe biznesmenë nga Emiratet dhe Katari.

Një tjetër firmë e përmendur nga Meta është Cytrox me bazë në Maqedoninë e Veriut, e cila zhvillon mjete hakerimi të ngjashme me ato të NSO.

Sipas një raporti nga Citizen Lab, një grup kërkimor i Universitetit të Torontos që fokusohet në abuzimet e teknologjisë së mbikëqyrjes, Cytrox ka lidhje të ngushta me organizata dhe biznesmenë në Izrael.

Madje, sipas një artikulli të vitit 2019 në Forbes, Cytrox u ble nga izraeliti Tal Dillian, një ish-komandant i një njësie të teknologjisë së Inteligjencës Ushtarake dhe tani një sipërmarrës i luftës kibernetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore