Lajme

Mehaj: Zhvillimi i ushtrisë do të bëhet gjithmonë duke kujtuar sakrificën e Jasharëve


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Rifat Jasharin.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj të shtunën është takuar me Rifat Jasharin, vëllaun e Adem dhe Hamëz Jashari, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Takimin e ka bërë të ditur Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Gjatë rrugës tonë për zhvillimin e ushtrisë nuk kishin se si të mungonin këshillat e bacës Rifat Jashari. Ai është heroi i gjallë mes nesh, i cili vazhdimisht përkujdeset që me mesazhet e tij të unifikoj të gjithë”.

“Në rrugën që kemi përpara, vetëm bashkë mund të ecim. Baca Rifat i ka dhënë shumë kombit tonë dhe asnjëherë nuk ka marrë asgjë, ai është trashëgimia më e rëndësishme e qëndresës tonë heroike”.


Tutje Mehaj, ka thënë se rrugëtimin do ta vazhdojnë duke e kujtuar gjithmonë të kaluarën.

“Zhvillimin e ushtrisë tonë, do ta bëjmë gjithmonë duke kujtuar rrugën, sakrificën dhe mundin e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve tanë të lirisë”.

Më 6 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nderë të 25-vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, kishte ndarë “Urdhrin e Lirisë” për Rifat Jasharin.

Këtë presidentja Osmani e ka bërë në një vizitë në shtëpinë e Jasharëve në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt, ku së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe te varret e familjes Jashari.

Në Kosovë më 5 mars kishte nisur shënimi i manifestimit treditor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa krerët shtetërorë – Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca – nderuan rezistencën e familjes Jashari nga Prekazi.

Gjatë këtij manifestimi homazhe kishin bërë edhe krerët opozitarë në Kosovë – kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreu i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku – si dhe qytetarë të shumtë nga vise të ndryshme të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore