Lajme

Mehaj: “Serbia provokoi sigurinë tonë nacionale”


Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK)

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook tha se ditëve që kaluan siguria jonë por edhe ajo rajonale u tensionua nga Serbia, por se Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka gjithmonë vëmendjen të përqendruar në sigurinë e vendit.

“Gjatë ditëve të kaluara, mjedisi i sigurisë sonë dhe ai i sigurisë rajonale, u sfidua duke u provokuar situatë e tensionuar politike dhe e sigurisë nga Qeveria e Republikës së Serbisë”, shkroi Mehaj.

“Në përputhje me kompetencat dhe detyrimet ligjore, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, realizojmë monitorimin, analizën , si dhe vlerësimin e pandërprerë , gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës, të të gjitha kërcënimeve dhe rreziqeve që kanosin sistemin tonë të sigurisë dhe mbrojtjes”, vazhdoi ai.

Ministri kosovar i Mbrojtjes tha se në bazë të vlerësime të lartcekura MB planifikon kapacitetet dhe masat e veprimeve operacionale bashkë me vendimmarrjen e duhur.

“Ministria e Mbrojtjes bashkë me institucionet tona shtetërore, dhe në bashkëveprim dhe koordinim me KFOR-in, kemi detyrim ligjor për ruajtjen e rendit kushtetues të shtetit, institucioneve si dhe jetës dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit”, u shpreh Armend Mehaj.

Ndërkaq përfundoi se “Detyra, Nderi dhe Atdheu” janë maksima që na udhëheq secilin nga ne!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore