Muzikë

Megan Thee Stallion performon për herë të parë pas dënimit të Tory Lanez


Rep artistja, Megan Thee Stallion u shfaq në skenë për herë të parë që kur Tory Lanez u dënua me 10 vjet burg për plagosjen e saj, tre vjet më parë.

Megan, 28 vjeçe, performoi në Festivalin Muzikor të “Outside Lands 2023” në Parkun Golden Gate në San Francisko të Kalifornisë, shkruan People, transmeton AlbanianPost.

Për performancën e saj, Megan veshi një korse rozë të qëndisur me zbukurime me diamante e perla, derisa në pjesën e poshtme ajo kishte veshur geta të po të njëjtës ngjyrë, kombinuar me flokët e saj të kuqe që ishin stiluar në kaçurrela.

Pjesë e festivalit pos yllit të hitit “Savage” ishin edhe yjet e tjera të muzikës, përfshirë Kendrick Lamar, Lana Del Rey dhe Foo Fighters.

Përndryshe, rep artisti, Lanez, 31 vjeç, u dënua javën e kaluar pasi u shpall fajtor për të tre akuzat e krimit mbi plagosjen e Megan në këmbë në korrik të vitit 2020.

Ai u shpall fajtor pas një gjyqi nëntë-ditor në dhjetor në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit, ku u dënua për sulmin ndaj Meganit me një armë zjarri gjysmë automatike, mbajtjen e një arme zjarri të mbushur, të paregjistruar në një automjet dhe shkarkimin e një arme zjarri me pakujdesi të rëndë.

Incidenti ndodhi pas një festë në pishinë në shtëpinë e Kylie Jenner në Los Anxhelos.
Sipas prokurorëve në gjykatë, ndërsa Megan filloi të largohej, ajo dëgjoi yllin e hitit “Luv” duke bërtitur me fjalë ofenduese dhe më pas ai filloi të qëllonte drejt saj me një pistoletë 9 mm.

Pas incidentit, Megan u shtrua në spital dhe iu nënshtrua një operacioni.

Duke dëshmuar në gjykatë vitin e kaluar, Megan – emri i vërtetë i së cilës është Megan Pete – tha se ishte “e tronditur” dhe “e frikësuar”.

“Dëgjoj një armë duke rënë. Nuk mund ta besoja se po qëllonte mbi mua”, tha ajo.

“Ai po mbante armën, duke e drejtuar nga unë”, ka shtuar ajo.

Të enjten, Lanez e deklaroi veten e tij si të pafajshëm në prononcimin e tij të parë pas dënimit.

“Kurrë nuk kam lënë një kohë të vështirë të më frikësojë. Nuk do të lejoj kurrë që burgu të më eliminojë. Pavarësisht se si ata përpiqen t’i kthejnë fjalët e mia, unë gjithmonë e kam mbajtur pafajësinë time dhe do ta bëj gjithmonë”, ka shkruar ai.

“Në asnjë formë apo formë nuk kërkova falje për akuzat për të cilat jam dënuar gabimisht. Unë mbetem në qëndrimin se refuzoj të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë”, ka thënë tutje Lanez.

“Unë jam përballur me fatkeqësi gjatë gjithë jetës sime dhe sa herë më dukej sikur do të humbja, dola në krye. Ky nuk është gjë tjetër veçse një moment tjetër ku shpina ime është pas murit dhe refuzoj të ndaloj së luftuari derisa të dal fitimtar. Kohët e vështira nuk zgjasin, njerëzit e vështirë zgjasin”, përfundoi ai.

Artisti kanadez është vendosur në burgun e kontesë së Los Anxhelosit, ku do të qëndrojë derisa të transferohet në një burg final për të përfunduar dënimin.

Brenda jetës së Tory Lanez prapa hekurave, pas dënimit me 10-vjet heqje lirie

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore