Shqipëria

Më 18 tetor nis viti i ri akademik në Shqipëri


Të hënën e 18 tetorit do të nisë viti i ri akademik për të gjithë studentët në të gjithë Shqipërinë.

Ndërsa, më datë 10 nëntor, do të fillojë ai për ciklin e dytë të studimeve master.

Lajmi u bë publik nga rektori i Universitetit të Tiranës (UT), Artan Hoxha.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se UT-ja ka numrin më të lartë të studentëve të vaksinuar.

Sipas tij, pikat e vaksinimit në fakultete do të jenë ende në funksion për studentët e pavaksinuar.

“Unë besoj se i gjithë dokumentacioni është i nevojshëm dhe i pranueshëm në Universitetin e Tiranës, pasi thelbi është të dihet nëse janë të infektuar apo bartës të virusit”, tha ai.

Hoxha ka theksuar se studentët e pavaksinuar mjaftojnë të paraqesin një dokument PCR do të lejohen në auditorë.

Kjo vlen edhe për ata që nuk duan ta bëjnë vaksinën.

“Ky proces do të ecë normalisht dhe paralel. Besojmë se studentët do të vaksinohen. Mbi 50% e studentëve janë të vaksinuar, por studentët nuk kanë ardhur akoma dhe ata që vijnë nga rrethet besojmë se do të vaksinohen”, finalizoi ai deklaratën e tij.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka kërkuar bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, në mënyrë që të vihen hapësira të mjaftueshme në dispozicion të nevojave të studentëve.

Po e njëjta gjë do të ndodhë edhe me hapësirat e vaksinimit për ta.

11-17 tetori u shpall edhe si “Java e vaksinimit masiv të studentëve”.

Në mbështetje të mbarëvajtjes së procesit, do të jetë edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore