Shqipëria

Mblidhet Kuvendi i Shqipërisë, pritet votimi i Qeverisë


Sot, në orën 10:00, do të mbahet seanca e radhës së Kuvendit të Shqipërisë. Pika e parë e rendit të ditës do të jetë miratimi i procesverbalit të seancës plenare të zhvilluar më 13 shtator.

Më pas do të votohet projektvendimi për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave.

Në Konferencën e Kryetarëve të drejtuar nga Lindita Nikolla, më 15 shtator, u përcaktua që koha e debatit të jetë pa limit, ku çdo deputet ka të drejtën për diskutim, 10 minuta.

Seanca do të jetë e “ndërtuar” nga tre pjesë.

Në të parën, do të prezantohet programi i qeverisë dhe Këshillit të Ministrave nga vetë kryeministri Edi Rama.

Pastaj, është faza e dytë, e cila përfshin të gjitha pyetjet. Dhe në fund, hapet debati dhe zhvillohet votimi, i cili është një votim i vetëm, qoftë kjo për përbërjen e Këshillit të Ministrave, qoftë për programin qeverisës 2021-2025.

Konferenca e Kryetarëve

Votimi i qeverisë së re vjen pas dekretimit të bërë nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, më 14 shtator.

Ky dekretim vjen pas kërkesës që Meta bëri në SPAK, për të hetuar pastërtinë e figurave të kabinetit “Rama 3”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ktheu përgjigje presidentit, duke shpjeguar se asnjë nga ministrat e kabinetit nuk është nën hetim.

Me këtë fakt në dorë, Meta i ka dekretuar ministrat e rinj, duke i çuar emrat e tyre në Kuvend për të marrë votëbesimin e Parlamentit.

Kabineti i ri i Edi Ramës përbëhet nga 15 ministra dhe zëvendëskryeministri. Prej tyre, 12 janë gra dhe vetëm katër burra.

Më 11 shtator, kryeministri Rama do të dekretohej nga Meta si kryeministër i Shqipërisë për të tretin mandat radhazi.

Ndryshe nga sa mendohej për shkak të replikave të vazhdueshme në distancë midis dy politikanëve, Meta nuk ka bërë asnjë retorikë politike mbi dekretimin e Ramës si kryeministër dhe kabinetit të tij.

Programi i Qeverisë

Kryeministri Rama do të prezantojë edhe programin e Qeverisë për katër vitet e ardhshme.

I gjithë programi, në thelb, ka të bëjë me vizionin “Shqipëria 2030”, e cila ka qenë ligjërata dhe fokusi i kryeministrit Edi Rama gjatë gjithë fushatës së tij para zgjedhjeve të 25 prillit.

Pesë janë shtyllat kryesore, ku do të fokusohet kjo qeveri e prezantuar më 2 shtator nga Rama.

E para ka të bëjë me rimëkëmbjen e ekonomisë nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19, që u shfaq në Shqipëri në mars 2020.

Vijon me të dytën në radhë, që është mirëqenia e të gjithëve, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë.

E treta ka të bëjë me modernizimin për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve.

Jo më pak e rëndësishme, në fokus të kësaj Qeverie, do të jetë dhe familja, si themeli ku, sipas tyre, do të ndërtohet e ardhmja.

E fundit nga radha e pesë shtyllave të qeverisë është kurorëzuar me termin “Shqipëri e fortë”, që ka të bëjë me ndërtimin e një shteti të fortë, vëmendje për çdo shqiptar dhe me dinjitet në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore