Boterori 2022

Mbappe hyn në historinë e Kupës së Botës


Kylian Mbappe është bërë lojtari me më së shumti gola në finale të Kupës së Botës.

23-vjeçari me tre golat e tij ndaj Argjentinës, i ka bërë katër sosh të shënuar në dy finale sa ka marrë pjesë deri më tani (një gol e kishte shënuar ndaj Kroacisë në finalen e vitit 2018).

Francezi i realizoi plot tre të tillë në finalen ndaj Argjentinës, megjithatë kombëtarja e tij u mposht pas ekzekutimit të penalltive ndaj amerikano-latinëve.

Përveç këtij rekordi, Mbappe u bë lojtari më i ri që arrin numër dyshifror të golave në Botëror.

Në moshën 23 vjeç e 363 ditë, ai është më i riu që e arrin një rekord të tillë, i cili mbahej nga Gerd Muller me 24 vjeç 226 ditë.

Ndërkaq, Mbappe u bë lojtari i pestë që shënon në dy finale të ndara të Kupës së Botës, pas Vava (1958, 1962), Pelé (1958, 1970), Paul Breitner (1974, 1982) dhe Zinedine Zidane (1998, 2006).

Kujtojmë që ylli i Paris Saint-Germain deri më tani numëron 12 gola të realizuar në dy Kupa Bote sa ka marrë pjesë.

Në Katar, ai e fitoi Këpucën e Artë, duke e dërguar tetë herë topin në rrjetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore