Shqipëria

Manja: Sistemi i burgjeve do të ketë një monitorim të veçantë


Ministri i Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, Ulsi Manja, ka realizuar një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, dhe drejtuesit e IEVP (Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale) dhe drejtuesit e policisë së burgjeve.

Kjo në kuadër të një fushatë ndërgjegjësimi për vaksinimin e të burgosurve kundër COVID-19.

Ministri ka kërkuar zbatimin e rregullave të pandemisë, dhe ka kërkuar që drejtuesit t’i bindin të burgosurit për vaksinim.

Ai ka nënvizuar se çdo i burgosur, apo i paraburgosur, duhet të vaksinohet dhe për këtë duhet ndjekur një politikë bindëse brenda institucioneve si dhe transparence me publikun për situatën në vijimësi.

Manja në deklaratën e tij ka premtuar se sistemi i burgjeve do të ketë një monitorim të veçantë si të gjithë institucionet e tjera që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

“Është duke u përgatitur rregullorja e re e burgjeve, ku çdo gjë do të përshtatet me konventat evropiane për të drejtat e njeriut”, tha ai.

Sipas tij, nuk menaxhohet asnjë situatë me masa represive e dënime, por vetëm me baza ligjore.

Ministri ka kërkuar forcimin e rregullit dhe disiplinës në IEVP, por edhe ka paralajmëruar ata që abuzojnë, ose janë në dijeni dhe lejojnë abuzimet.

“Të dënuarit janë privuar nga liria, por askush nuk mund t’i privojë ata nga asgjë tjetër që parashikon ligji”, tha ai.

Ai ka deklaruar se nëse i vjen edhe njëherë tjetër ankesë për ushqimin e të burgosurve, do të shkarkoj menjëherë drejtuesin e IEVP-së.

Ministri ka ravijëzuar se do të marrë informacion të plotë nga të gjitha agjencitë e duhura shtetërore për këdo, dhe ata që e meritojnë.

“Ministri i Drejtësisë do të marrë rolin që i takon për çdo problematikë të vjetër apo të re në të gjithë piramidën e sistemit peniteciar”, finalizoi ai deklaratën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore