Përballje

Manchester City triumfon në Paris, një hap pozitiv drejt finales


Manchester City ka bërë një hap të mirë drejt finales së Ligës së Kampionëve, pasi ka mposhtur në gjysmëfinalen e parë skuadrën e Paris Saint Germain me rezultat 1:2.

Vendasit e nisën mirë ndeshjen në stadiumin “Parc des Princes” të Parisit, dhe kaluan në epërsi me anë të mbrojtësit brazilian Marquinhos, i cili në minutën e 15-të, shënoi një gol të bukur me kokë, pas një goditje nga këndi.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të vendasve, teksa në minutën e 64-të, Kevin De Buyne realizoi një gol fantastik duke u munduar të harkojë në zonë.

Shtatë minuta pas golit të barazimit, mysafirët arritën të gjejnë golin e epërsisë, përmes algjerianit Riyad Mahrez, i cili shënoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, për epërsinë e skuadrës së Guardiolës.

Ndeshja për vendasit u komplikua edhe më shumë në minutën e 77-të, kur mesfushori Gueye u ndëshkua me karton të kuq dhe la skuadrën me 10 lojtarë, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Kualifikimi në finale mbetet ende i hapur për ndeshjen e kthimit në “Etihad Stadium” të Manchesterit, megjithatë “qytetarët” kanë tashmë avantazhin e fitores dhe dy golave të shënuar në fushën kundërshtare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore