Kosova

Hamza: PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare


Bedri Hamza

Dy ditë pas takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në një konferencë për media të mërkurën, njoftoi se ky subjekt politik do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

“PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare sepse për ne, prioritetet janë të qarta – fillimisht, interesi i vendit, pastaj i partisë. Kosova është nën sanksione dhe qindra-miliona euro janë të bllokura. E përveç këtyre milionave të bllokuara për shkak të masave, ka edhe qindra-miliona të cilat nuk janë të shpenzuara si rezultat i paaftësisë për t’i ekzekutuar projektet”.

Ai theksoi se qëndrimi i PDK-së erdhi si rezultat i kandidaturës së tij për kryeministër, derisa përjashtoi mundësinë që votimi i marrëveshjeve të bllokuara ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës të ketë ardhur si rezultat i ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në pushtet.

“Ne kemi qenë partia më e qartë në drejtimin që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë koalicioni. Ne jemi në garë për t’i bindur qyetarët që ne të jemi parti fituese”, nënvizoi Hamza, derisa shtoi se ekzistojnë tri opsione për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në Kuvendin e Kosovës janë bllokuar 13 marrëveshje ndërkombëtare për shkak se shumica parlamentare nuk i ka votat e nevojshme që t’i kalojë të njëjtat. Për këtë arsye, kryeministri Kurti takoi të hënën në një nga hotelet e Prishtinës kreun e PDK-së në funksion të arritjes së pajtueshmërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore