Lajme

Lista Serbe, Hovenier-it: Përfaqësojmë popullin serb – S’diktohemi nga askush


Perfaqesuesit e Listes Serbe

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se shteti që ai përfaqëson nuk e sheh këtë subjekt “si parti politike serbe”, por se “e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë”.

Përmes një komunikate zyrtare, nga Lista Serbe, deklaruan se kur analizohet deklarata e sotme e ambasadorit amerikan Hovenier “të krijohet përshtypja se pas vizitës së delegacionit të Listës Serbe në Uashington, ai ka pasur nevojë të bëjë lajka me publikun në Prishtinë”.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe kudo që janë, dhe këdo që takojnë do të përfaqësojnë gjithmonë interesat e popullit serb, sepse është detyrë e jona ndaj qytetarëve që mbështesin partinë tonë”.

Gjithashtu, pohuan ata, “duam të theksojmë se politikën tonë gjithmonë e kanë vendosur autoritetet e Listës Serbe duke respektuar interesat e qytetarëve tanë, dhe jo nga diktimi i askujt, dhe se kështu do të vazhdojë të jetë”.

“Si në Uashington, ashtu edhe në Prishtinë, në cilindo qytet të botës apo para ndërtesave komunale me qytetarët tonë në mënyrë paqësore dhe demokratike, gjithmonë do të luftojmë për të drejtat e popullit serb, mbijetesën dhe qëndrimin e tyre në vatrat e tyre shekullore”, pretenduan ata.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, këtë të marte, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Lista Serbe – partia më e madhe të serbëve të Kosovës – të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në Veri. 

Këto deklarata ai i bëri pasi komentoi vizitën e përfaqësueseve të Listës Serbe, përkatësisht nënkryetarit të kësaj partie, Igor Simiç, dhe anëtarit të kryesisë, Slavko Simiç, me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Departamentin amerikan të Shtetit.

“Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra: E para është që ShBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik”, tha Hovenier para gazetarëve.

Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, pohon diplomati amerikan, “si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë”.

“Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e ShBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur”, potencoi ai, duke shtuar se “kjo përfshin Veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri: Është Veriu i Mitrovicës”, çka edhe e nervozoi korrierin e propagandës serbe, Petar Petkoviç .

Ndërkaq, Hovenier theksoi se shteti që ai përfaqëson dëshiron që Lista Serbe “ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike”.

“Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore