Lajme

Lista Serbe akuzon ndërkombëtarët se janë “verbuar nga dashuria” për “regjimin autoritar” të Kurtit


Zllatan Ellek

Lista Serbe akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se janë “verbuar nga dashuria” për “regjimin autoritar” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndërsa u shprehën të zhgënjyer me qëndrimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, posaçërisht me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, sa i përket dorëheqjeve të anëtarëve të Listës Serbe nga Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ) në veri.

“Jemi të zhgënjyer me qëndrimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët janë verbuar nga dashuria për regjimin autoritar anti-serb të Kurtit dhe nuk i shohin të gjitha lëvizjet e njëanshme të Prishtinës që shkelin sistematikisht të drejtat e popullit serb në Kosovë me qëllim të spastrimit përfundimtar etnik të serbëve nga vatra shekullore”, shkroi Lista Serbe të hënën.

Ndryshe, katër anëtarë të KKZ-ve nga partia kryesore e serbëve të Kosovës janë dorëhequr nga pozita në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – një ditë pas paralajmërimit të Listes Serbe se s’do të marrë pjesë në referendumin që pritet të mbahet më 21 prill në katër komunat veriore të Kosovës për largimin e kryetarëve shqiptarë.

“Serbët ishin të gatshëm të merrnin pjesë në procesin e zëvendësimit të kryetarëve të rremë, gjë që e treguan me nënshkrimin e peticionit në një kohë rekord dhe me më shumë nënshkrime se sa nevojitej, por që Kurti projektoi një procedurë të tillë referendumi që është e pamundur dhe jo i realizueshëm me qëllimin e vetëm për të mbajtur kryetarë të rremë në karrige”.

Rohde në një përgjigje për gazetën “Telegrafi” të hënën deklaroi se dorëheqjet e anëtarëve të Listës Serbe nga KKZ-të në veri dhe paralajmërimet për mospjesëmarrje në procese demokratike, përveçse janë shqetësuese për bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, përbëjnë edhe një rast tjetër presioni ndaj qytetarëve serb në veri nga ky subjekt politik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore