Përballje

Liga Evropës/ Manchester United lëshon nga duart fitoren ndaj Sevilla-s, Juventus mposht minimalisht Sporting Lisbonën


Janë mbyllur ndeshjet e para të fazës çerekfinale të Ligës së Evropës.

Manchester United e ka lëshuar nga dora fitoren ndaj Sevilla-s, në takimin e parë që u zhvillua në “Old Traford”.

I huazuari nga Bayern Munich, Marcel Sabitzer, shënoi dy gola në pjesën e parë për United-in.

Të parin austriaku e shënoi në minutën e 15-të i asistuar nga Bruno Fernandes.

Ndërsa gjashtë minuta më vonë, mesfushori e gjeti edhe golin e dytë personal, duke u asistuar nga Anthony Martial.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi të dyfishtë të vendasve, derisa në pjesën e dytë Sevilla bëri rikthimin e furishëm, duke shënuar dy gola në fundin e ndeshjes.

Ishte veterani Jesus Navas që shënoi golin e parë për spanjollët në minutën e 85-të, duke e shfrytëzuar më së miri një pakujdesi nga mbrojtja e Manchester United-it.

Ndërkohë, krejt në fund, mysafirët e barazuan rezultatin me ndihmën e Harry Maguire, i cili e devijoi në portën e tij një goditje me kokë të spanjollëve.

Pra, një rezultat i këndshëm për Sevilla-n, të cilët do të kërkojnë në ndeshjen e kthimit ta bafasojnë Manchester United-in.

Ndërkohë, fitore të vlefshme mori edhe Juventus-i në ndeshjen e parë, duke e mposhtur Sporting Lisbonën me rezultat minimal 1:0.

Goli i vetëm në këtë sfidë u realizua nga Federico Gatti në minutën e 73-të, i cili e shfrytëzoi një top të mbrojtur nga portieri i portugezëve.

Më shumë se një barazim nuk e arriti Bayer Leverkusen në shtëpi ndaj belgëve të Royale Union.

Këta të fundit kaluan të parët ne epërsi në minutën e 51-të me golin e shënuar nga nigeriani, Victor Boniface.

Reagimi i gjermanëve erdhi në minutën e 82-të kur barazoi Florian Wirtz, por vetëm kaq, pasi që Leverkusen u desh të kënaqej me barazim nga kjo ndeshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore