Sport

Legjenda angleze zgjedh formacionin më të mirë të gjysmësezonit në Premier Leauge, bën pjesë edhe Xhaka


Legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, ka zgjedhur formacionin me 11 lojtarët më të mirë të gjysmës së parë të sezonit në Premier Leauge

Në këtë formacion, golashënuesi më i mirë në historinë e Premier Leauge-s ka zgjedhur pesë futbollistë të ish-ekipit të tij, Newcastle, tre të Manchester City-t, dy të Arsenal-it dhe një të Leicester City-t.

Mes dy futbollistëve të Arsenal-it, Shearer ka zgjedhur Granit Xhakën dhe mbrojtësin Saliba.

Portieri i Newcaslte, Nick Pope, është në portë, derisa mbrojtja përbëhet nga Kieran Trippier, William Saliba, Fabian Schar dhe Joao Cancelo.

Në mesfushë, përveç Xhakës, janë edhe talenti brazilian i Newastle, Guimaraes, derisa katërshja ofensive përbëhet nga Miguel Almiron i Newcastle, Kevin De Bruyne i Manchester City-t, James Maddison i Leicester dhe golashënuesi më i mirë aktualisht në Premier Leauge, Erling Haaland.

Kurse, sa i përket trajnerit më të mirë deri më tani, legjenda angleze ka zgjedhur Mikel Arteta-n me Arsenal-in.

Sipas legjendës angleze Alan Shearer, trajneri më i mirë deri në këto momente në Ligën Premier është Mikel Arteta.

Kujtojmë që Arsenal dhe Newcastle kanë qenë befasitë më të këndshme në këtë edicion në ligën e futbollit anglez.

Arsenal-i vazhdon të prijë në tabelë me 37 pikë, pesë më shumë se Manchester City, ndërsa Newcastle vazhdon të jetë e treta në tabelë me 30 pikë, pavarësisht se ata e kanë të lënduar blerjen e madhe të kësaj vere, Alexander Isak.

Ndërkaq, sa i përket Shearer, ai mban vendin e parë prej golashënuesve më të mirë në futbollin anglez me 260 gola, i dyti është Wayne Rooney me 208 dhe i treti Harry Kane me 195.

Shearer gjatë karrierës së tij ka luajtur 10 vite për Newcastle United, katër për Blackbourn Rovers dhe gjashtë vite për Southampton, derisa karrierën e mbylli në Newcastle në vitin 2006.

Ai gjithashtu numëron edhe 63 ndeshje zyrtare me kombëtaren e Anglisë, prej të cilave ka shënuar 30 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore