Shqipëria

Lefter Alla do ta presë gjykimin në burg


Lefter Alla, ish-kryebashkiaku i Bulqizës, do ta presë në burg gjykimin e tij.

Gjykata e Lartë ka vendosur këtë të mërkurë të 20 shtatorit mospranim e rekursit për ndryshim të masës së sigurisë.

Tanimë Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet për të dhe 10 ish-zyrtare të tjerë të bashkisë dhe biznesmenë.

Alla është marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Ai më herët kërkoi më 26 qershor lehtësim të masës, për shkak se “i rrezikohet jeta nëse qëndron në burg”.

Më 11 prill nga ana tjetër, ai pati ankimuar në Apelin e GJKKO-së vendimin për masën arrest me burg.

Ndërsa, në rend të kundërt kronologjik, ish-kryebahskiaku i Bulqizës u shkarkua më 24 mars, për shkak të akuzave që rëndojnë ndaj tij.

Alla u arrestua më 14 mars, teksa një ditë më pas, ishte SPAK që zyrtarizoi akuzën, duke bërë me dije se Alla dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Ai më pas u la në burg nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, së bashku me disa zyrtarë të tjerë pranë kësaj bashkie, lidhur me akuzat për korrupsion dhe abuzime me tenderat publikë.

Pavarësisht vendimit, Alla personalisht e ka kundërshtuar, duke parashtruar se ai vetë nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit dhe madje, e ka etiketuar arrestimin e tij si “politik”.

Në pranga kanë rënë edhe 12 persona të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë të bashkisë.

Nga hetimi ka rezultuar se për ish-zyrtarin nën hetim “me detyrë kryebashkiak me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publik me procedurë të hapur më 30 prill të vitit 2021”.

Kjo, ndaj operatorëve ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322. milionë lekë të reja, me afat kohor 10 mujor, vëren SPAK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore