Lajme

Lajçak: Normalizimi i marrëdhënieve është vendimtar për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë


I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në Facebook ka bërë bilancin e javës, ku ka treguar për takimet që i ka pasur në disa shtete të Evropës ku është diskutuar edhe për procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Në fillim të kësaj jave, udhëtova për në Bukuresht, ku mora pjesë në një event të Këshillit Evropian për marrëdhëniet me jashtë, i fokusuar në të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Aty u diskutua edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është vendimtar për rrugët evropiane të të dyjave vendeve”, shkroi Lajçak.

Diplomati sllovak gjatë qëndrimit në Rumani, ka njoftuar se është takuar edhe me ministren e Jashtme të këtij shteti, Luminita Odebescu.

“Pata një shkëmbim të dobishëm për dialogun, si dhe dinamikën rajonale me ministren e Jashtme të Rumanisë, Luminița Odobescu. Unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen e Rumanisë për punën time dhe angazhimin e saj aktiv në Ballkanin Perëndimor”, potencoi ai.

Lajçak po ashtu ka njoftuar se gjatë dy javëve të fundit është takuar në Berlin edhe me Jens Ploetner, këshilltar për Punët e Jashtme i Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, si dhe me përfaqësues të ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Ndryshe, ditë më parë, Albanian Post ka dërguar pyetje në zyrën për informim të Bashkimit Evropian për t’i pyetur nëse do ketë edhe një takim deri në fund të vitit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në funksion të zbatimit të obligimeve që kanë marrë përsipër në kuadër të dialogut.

Por, nga BE-ja nuk janë përgjigjur për këtë çështje, derisa më 1 dhjetor, Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ka bërë të ditur se i ka njoftuar kryediplomatët mbi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Diplomati spanjoll, ndër të tjera, ka potencuar se ka pasur biseda të rëndësishme me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-së për situatën në Ballkanin Perëndimor. Borrell, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që ta rrisin vullnetin e tyre për të zbatuar Marrëveshjet e dalura nga dialogu në atë mënyrë për të vazhduar rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore