Kosova

Lajçak lëvdon Vuçiç-in: Tregoi vullnet për vendime të vështira


Miroslav Lajçak

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, para gazetarëve ka deklaruar se ka pasur një takim “intensiv dhe të hapur” ndërsa shtoi se ky i fundit tregoi vullnet për vendime të vështira.

“Presidenti Vuçiç tregoi një qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane për Serbinë”, tha Lajçak, raporton transmetuesi publik i Serbisë.

Diplomati sllovak ndër të tjera theksoi se zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “element kyç i stabilitetit” kurse pa dhënë detaje të tjera, shkurtimisht potencoi se plani franko-gjerman është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe integrimin evropian të rajonit.

Lajçak në takim me Vuçiç-in ishte i shoqëruar me këshilltarët për polikë të jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë – Jens Plonter, Emmanuel Bonne, Francesco Talo – dhe me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe të Euroazisë, Gabriel Escobar.

Ndërkaq, para se të takonin shefin e shtetit serb në Beograd, pesëshja evropiano-amerikane qëndroi në Prishtinë ku takuan kryeministrin Albin Kurti, megjithatë janë larguar me drojën se Kurti nuk e ka kuptuar akoma çfarë mundësie të madhe paraqet plani franko-gjerman.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të negociatave dhe kemi një takim në Beograd dhe s’mund të them shumë, por në këtë pikë kemi pritur kuptueshmëri më të madhe të kësaj mundësie që vjen me ofertë tonën”, tha Lajçak shkurtimisht para gazetarëve që ishin mbledhur pranë objektit të Qeverisë.

Diplomatët tjerë nuk kanë folur pas takimit. Nuk folur as kryeministri Kurti. Madje ai as nuk është paraqitur para gazetarëve por, ndonëse takimi përfundoi rreth orës 12:00, zyra e kryeministrit lëshoi një komunikatë për media lidhur me takimin pas 4 orësh, pa dhënë shumë detaje.

4 evropianë e 1 amerikan në Kosovë, në takimin “që vendos gjithçka”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore