Lajme

Diplomatët perëndimorë duan zgjidhje, Kurti do takime – komunikata boshe e kryeministrisë


Albin Kurti në takim me top-diplomatët evropiano-amerikane

Ndonëse takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe delegacionit të top-diplomatëve evropiano-amerikane të udhëhequr nga i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, përfundoi rreth orës 12:00, zyra e kryeministrit lëshoi një komunikatë për media lidhur me takimin pas rreth 4 orësh, pa dhënë shumë detaje.

Sipas komunikatës në fjalë, Kurti në takim me top-diplomatët evropiano-amerikanë, ka qenë i shoqëruar me vartësin e tij zëvendës-kryeministrin e parë, Besnik Bislimi.

Për më shumë se dy orë, bënë të ditur komunikata, është diskutuar për propozimin franko-gjerman, të cilën Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.

“U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gushtit 2022 në Bruksel”.

Ndër të tjera thuhet në këtë komunikatë se Kurti, ka theksuar nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike.

I pari i qeverisë gjithashtu ka shprehur përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit.

Francesco Maria Talò, Emmanuel Bonne, Miroslav Lajçak, Albin Kurti, Jens Plotner dhe Gabriel Escobar

Në anën tjetër Lajçak në takim me Kurtin ishte i shoqëruar me këshilltarët për polikë të jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë në njërën anë dhe me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, në anën tjetër.

Ndryshe nga Zyra e Kryeministrit diplomati sllovak dha më shumë detaje nga takimi.

Sipas tij, takimi me Kurtin ishte i gjatë e i vështirë, por edhe i hapur dhe i sinqertë.

Megjithatë ai shprehu drojën e tij se Albin Kurti nuk e ka kuptuar akoma çfarë mundësie të madhe paraqet propozimi franko-gjerman.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të negociatave dhe kemi një takim në Beograd dhe s’mund të them shumë, por në këtë pikë kemi pritur kuptueshmëri më të madhe të kësaj mundësie që vjen me ofertë tonën”, tha Lajçak shkurtimisht para gazetarëve që ishin mbledhur pranë objektit të Qeverisë.

“Herët për deklarata dramatike, por kam pritur kuptueshmëri më të madhe” – Lajçak pas takimit me Kurtin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore