Lajme

“Herët për deklarata dramatike, por kam pritur kuptueshmëri më të madhe” – Lajçak pas takimit me Kurtin


Miroslav Lajçak

Albin Kurti nuk e ka kuptuar akoma çfarë mundësie të madhe paraqet propozimi franko-gjerman.

Kjo është përshtypja me të cilën ka dalur nga takimi përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, që kaloi dy orë brenda zyrës së Kurtit, bashkë edhe me kolegët e tij diplomatë, Gabriel Escobarin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jens Plotner-in nga Gjermania, Emmanuel Bonnen nga Franca dhe Francesco Talo nga Italia.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të negociatave dhe kemi një takim në Beograd dhe s’mund të them shumë, por në këtë pikë kemi pritur kuptueshmëri më të madhe të kësaj mundësie që vjen me ofertë tonën”, tha Lajçak shkurtimisht para gazetarëve që ishin mbledhur pranë objektit të Qeverisë.

Sa për vetë takimin, Lajçak tha se ishte “i gjatë e i vështirë”, por edhe “i hapur e i sinqertë”.

“Kemi ardhur me një delegacion të fuqishëm që është sinjal se jemi të përkushtuar për normalizim raportesh dhe të gjithë këto shtete të fuqishme kanë hedhur peshën e vet në këtë iniciativë”, deklaroi Lajçak.

“Në këtë takim diskutuam propozimin tonë ku kemi kaluar më shumë se dy orë me kryeministrin Kurti. Takimi ishte i gjatë dhe jo i lehtë, por i hapur dhe i sinqertë”.

Lajçka pohoi se shpreson akoma që përkundër vështirësive, Kurti të arrijë ta kuptojë se sa e rëndësishme është kjo mundësi që po ofrohet.

“Shpresoj se do të arrijmë në këtë pikë, të kuptohet plotësisht potenciali i këtij propozimi”, shtoi sllovaku.

Më gjatë tha se nuk mund të flas, pasi menjëherë udhëtojnë për në Beograd ku do takohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, që të shohin edhe atje, a është niveli i njëjtë i mos-kuptueshmërisë.

Diplomatët tjerë nuk kanë folur pas takimit. Nka folur as kryeministri Albin Kurti. Madje ai as nuk është paraqitur para gazetarëve.

Në ndërkohë pritet një komunikatë nga Qeveria e Kosovës për bisedën dyorëshe me diplomatët perëndimorë.

4 evropianë e 1 amerikan në Kosovë, në takimin “që vendos gjithçka”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore