Lajme

4 evropianë e 1 amerikan në Kosovë, në takimin “që vendos gjithçka”


Foto nga Albanian Post

Ka kaluar më shumë se një dekadë prejse Kosova e Serbia janë angazhuar në një dialog të përbashkët ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nga ku u nxorën më shumë se 30 marrëveshje, por e vetmja herë kur liderët e dy shteteve kanë vendosur lapsin në letër është kur kanë nënshkruar dokumentet e propozuara nga Brukseli.

Me një propozim perëndimor të hartuar nga Franca e Gjermania dhe të birësuar nga Bashkimi Evropian i njohur si plani franko-gjerman po vijnë edhe këtë të premte në Prishtinë e Beograd një ushtri diplomatësh.

Jo më për të prezantuar përmbajtjen, por përfundimisht për të kërkuar përgjigjen.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Miroslav Lajçak nga Bashkimi Evropian, Gabriel Escobar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jens Plotner nga Gjermania, Emmanuel Bonne nga Franca dhe Francesco Talo nga Italia takojnë Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in për të bërë një pyetje të vetme: A e pranoni propozimin?

Albanian Post nga burime diplomatike ka kuptuar se ky takim fundjanari është “Make It or Break It”, sepse status-quoja mes dy vendeve është luks që s’e ofron dot Evropa në këtë pranëvjetor të një lufte brenda kontinentit – asaj mes Ukrainës e Rusisë.

Lajçak, përfaqësues special i BE-së në dialog, ka takuar Kurtin e Vuçiç-in edhe në Davos të Zvicrës si prelud për çfarë i pret këtë 20 janar.

“Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis”, tha edhe Derek Chollet, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit në intervistën e tij të fundit për Radio Evropa e Lirë.

Chollet që edhe vetë ishte në Prishtinë e Beograd ditë më parë, pohoi se nga takimet që ka pasur në dy kryeqytetet “mendojmë se këto kompromise janë të mundshme”.

Ai deklaroi edhe se për këtë takim të së premtes dy liderëve u ka “folur shumë”.

“Për rëndësinë e këtyre takimeve dhe për disa detaje”, që s’deshi t’i bëjë publike.

“Ne, vërtet, duam që kjo të ketë sukses”, tha Chollet me mimikën që ia plotësonte fjalinë.

Amerikani e bëri të qartë se nuk ushqehet me iluzionin që “kjo situatë të zgjidhet gjatë këtyre takimeve të premten”, por, “është një pikë e rëndësishme kthese”.

Ku ka ngecur çështja?

Kryeministri Kurti e ka quajtur planin franko-gjerman “një bazë e mirë”, derisa në Serbi u ka penguar më shumë, pasi konsiderojnë se aty parashihet njohja de-facto e Kosovës e atë nuk e duan. Por, refuzim zyrtar planit s’i është bërë dhe bisedimet për të s’i kanë refuzuar formalisht asnjëra palë.

Problemi është se ngërçi gjendet para diskutimit për vetë planin.

Në vorbullën e shumë zhvillimeve të muajve të fundit muri i pakalueshëm është një: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti ka ardhur duke e zbutur qëndrimin refuzues, por ai ka pranuar që të diskutohet për këtë mekanizëm politik vetëm si pjesë e marrëveshjes finale bazuar mbi planin franko-gjerman, derisa Vuçiç ka deklaruar se pa filluar Kosova zbatimin e Asociacionit ai nuk pranon futje në negociata.

Arsyetimi i tij – i thënë në disa raste – është se s’ka nevojë për marrëveshje të reja, nëse ato të nënshkruarat paraprakisht nuk zbatohen.

Kurti është kundërpërgjigjur se s’ishte ai që e nënshkroi këtë marrëveshje në vitin 2015 dhe s’ka pse të jetë ai që e zbaton. Derisa motivet për themelimin e Asociacionit i ka quajtur të errëta, sepse, sipas kryeministrit të Kosovës, me këtë bashkim komunash serbe nuk synohet ndonjë ndihmë për komunitetin serb të Kosovës, por një levë që ia mundëson Beogradit përzierjen e përhershme në çështje të brendshme të Kosovës dhe destabilizimin konstant të shtetit.

Shembulli për këtë? Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Këtë shqetësim shprehu edhe në takimin e fundit me Chollet, por amerikani thotë se ia ka hequr atë dert, pasi e ka bërë të qartë se vetë amerikanët nuk do ta shtynin përpara nëse do përbënte mekanizëm të njëjtë.

“Krijimi i Asociacionit”, thotë ai në intervistën për REL “është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ne jemi shumë të qartë me kolegët tanë në Prishtinë që kjo nuk është diçka sikurse Republika Serbe, si entitet”.

Dokument – Ekskluzive: Ekspertët ndërkombëtarë kanë gjetur formulën për themelimin e Asociacionit, ia jep Qeverisë arsyetimin dhe nuk bie ndesh me Kushtetutën

A do arrihet pajtim?

Për ata që e njohin mirë politikën në Ballkan – siç është profesori austriak, Ulf Brunnbauer – që drejton edhe Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Juglindore, është e vështirë.

Shpesh, thotë ai në një intervistë për Albanian Post, liderët në Ballkan janë të kënaqur me kriza. “Sidomos Vuçiç”, vërën Brunnbauer.

Edhe pse, sugjeron ai, ky s’do të duhej të ishte fundi, por fillimi i kërkimit të zgjidhjeve që do të mund të vinin “nga jashtë strukturave ekzistuese të pushtetit”.

Prandaj, “BE-ja duhet të gjejë mënyra për ta bërë të qartë se mospërputhja do të ketë pasoja – së shpejti”.

“BE gjithashtu duhet të ofrojë më shumë mbështetje për ato grupe dhe individë nga të dyja palët që kanë ide për një kompromis të qëndrueshëm dhe që duan të kapërcejnë këtë ngërç që i mban prapa të dy vendet dhe nga i cili përfitojnë vetëm nacionalistët nga të dyja palët”, deklaron Brunnbauer për AP.

BE-ja ndoshta jo, por Amerika nuk është se s’e ka menduar këtë opsion.

një intervistë të 13 dhjetor të vitit të kaluar Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke diskutuar për ngërçet nga mos-pranimet e palëve tha se SHBA-të mund të kërkojnë “partnerë alternativë”.

Më shumë nuk pati elaboruar. Më shumë s’ka dashur të elaborojë as Chollet kur iu kërkuar ta zbërthejë deklaratën e bashkëkombësit të tij, duke thënë se tash për tash fokusi duhet të jetë tek takimi i kësaj te premte.

Intervistë e Albanian Post me Ulf Brunnbauer nga Universiteti i Regensburgut: Kosova kurrë s’ka qenë më e mbrojtur nga perëndimi, por Kurti mos të gënjehet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore